Në një kohë kur të rinjtë po largohen nga vendi, studentët të mbahen në vend me arsim të lartë falas, të ndalohet shitja e librave si kusht për marrjen e provimit, universitetet të gjejnë një mënyrë për ta vërtetuar nëse studenti i diplomuar është i aftë ta bëjë atë për çka ka diplomuar. Këto ishin vetëm disa nga kërkesat dhe propozimet e studentëve dhe profesorëve të Universitetit “Sh. Kirili dhe Metodi” në debatin e djeshëm publik për propozim-ligjin e ri për arsimin e lartë, i cili u mbajt në Fakultetin Filozofik. Në debat morën pjesë ministrja e arsimit dhe shkencës, Vesna Janevska, si dhe rektorja Biljana Angellova, transmeton Portalb.mk.
Në amfiteatrin e mbushur plot u diskutua për mënyrën dhe kriteret për marrjen e titujve. Sipas propozimit, çdo profesor që do të aplikojë për marrjen e një titulli do të ketë për detyrim të përgatisë dhe publikojë të paktën 6 punime, 4 prej të cilave duhet të jenë të publikuara në revista me impact factor “Web of Science” ose “Scopus”. Në debat disa nga profesorët thanë se punimet nuk mund të vlerësohen në të njëjtën mënyrë, pra të njëjtat rregulla të vlejnë për të gjitha disiplinat shkencore.
Aneta Lekovska nga Fakulteti Teologjik Ortodoks dhe anëtare e Senatit tha se sipas nenit 161 po prezantohen kritere të uniformuara lidhur me punimeve shkencore.
“Këto kritere janë adekuate për disa fusha shkencore, por jo edhe për veprimtarinë tonë. Te ne një pjesë e konsiderueshme realizohet përmes monografive. Në korniza globale nga kjo fusha jonë nuk ka revista me impact factor. Kjo pjesë duhet të ndryshohet sepse kështu, me kritere të uniformuara, disiplinat shkencore të vogla dhe specifike do të vihen në pozitë të pabarabartë”, tha ajo.

Një student i Fakultetit Filologjik në degën e Letërsisë së përgjithshme dhe komparative foli për detyrimet financiare që i kanë studentët dhe për nevojën për studime falas.
“Po flitet për cilësinë e jetës studentore në një kohë kur të rinjtë po largohen nga vendi. Por ja, ne që mbetëm po shohim se vazhdimisht po injorohet fakti që shumë prej nesh kanë shpenzime të larta për studim. Për një pjesë të parave që i japim as që e dimë se ku përfundojnë. Procesi i studimit duhet të jetë i lehtë, e jo të mundohemi me burokraci dhe me detyrime financiare. Për materiale paguajmë nga 3.000 denarë, por nuk e dimë ku shkojnë ato para”, tha studenti.
Janevska u përgjigj se arsimi i lartë nuk do të jetë falas.
“Për kë kërkoni arsim falas? Studentët nga familjet me një prind, studentët me aftësi të kufizuara, studentët që janë nga familje me të ardhura të ulëta, me këtë ligj lirohen nga participimi. Edhe studentët nga kategoritë sociale marrin bursa. Studentët nga kategoritë sociale në konvikte paguajnë më pak. Tashmë ka lehtësime sa i përket pagesave”, tha Janevska.
Një student tjetër komentoi se ata që e kanë shkruar Ligjin për Arsimin e Lartë kanë harruar që në nenin 112 ta rregullojnë shitblerjen e librave në fakultete.
“Në këtë vend, në sistemin tonë të arsimit të lartë, gjëja e parë që studentët duhet ta bëjnë është të blejnë libra, zakonisht me para në dorë. Mendoj që ky nen duhet të zgjerohet. Edhe në rastet kur fakultetet i kanë të drejtat e autorit, profesorët sërish gjejnë mënyra se si t’i shesin librat privatisht. Prandaj, duhet të vendoset një ndalesë eksplicite për korrupsionin dhe ata që shesin të ndiqen penalisht. Ka raste edhe kur studentët kanë paguar, por nuk i kanë marrë librat”, tha studenti.
Për këtë Janevska tha se në ligj nuk mund të shkruhet se ndalohet shitja e librave.
“Nëse ka raste të tilla denoncojini dhe ta zgjidhim këtë punë një herë e mirë, që ata profesorë të përgjigjen dhe t’i jepet fund kësaj praktike”, tha ajo para të pranishmëve.

Profesori nga Fakultetit Filozofik, Ilija Aceski, diskutoi për nenin 122 të ligjit, në të cilin rregullohet përmbajtja dhe rezultati i të mësuarit.
“Në fillim thuhet – ta prezantojë studentin me disiplina akademike, t’i mundësojë kualifikime, ta aftësojë studentin. Në këto dispozita ligjore nuk ekziston asnjë mekanizëm elementar që do të verifikojë dhe do ta vlerësojë studentin e diplomuar nëse është i aftë ta bëjë atë që ka mësuar në fakultet. Kjo do të thotë se nëse fakulteti krijon kuadro ata duhet të përfshihen në punë, kështu që duhet të ketë një mekanizëm që do ta konfirmojë këtë dhe do të thotë se studenti është i aftë për punën për të cilën e ka marrë diplomën”, tha Aceski, për çka Janevska nuk komentoi.
Profesori Aleksandar Stojkov nga Fakulteti Juridik “Justiniani I” tha se ndryshime duhet të bëhen edhe në nenin 132, i cili e rregullon përmbajtjen e programeve studimore.
“Në të tani thuhet se programet studimore përmbajnë lëndë mësimore zgjedhore dhe të detyrueshme dhe se ato të detyrueshmet duhet të jenë nga fusha përkatëse e njësisë së universitetit. Në praktikë mund të ndodhë që një student i ndërtimtarisë ta përfundojë fakultetin pa e ndjekur lëndën e matematikës, sepse matematika është lëndë zgjedhore. Ose studentët e inxhinierikë mekanike apo FETI të diplomojnë pa e ndjekur matematikën sepse ajo lëndë është në listën e lëndëve zgjedhore. Do kisha dashur t’i keni parasysh këto vërejtje”, tha Stojkov.
Darija Andovska, dekane e Fakultetit të Arteve Muzikore, tha se me ligjin e ri fakultetet e arteve janë lënë pas dore në mënyrë të padrejtë.
“Ne jemi i vetmi fakultet ku ka mësim individual, ndërsa një pjesë e mirë e profesorëve në fakultetin tonë janë të angazhuar me honorarë. Në ligjin e ri ka kritere rigoroze për avancim, prandaj kërkesa ime është që për fakultetet e arteve kjo gjë të rregullohet ndryshe”, tha Andovska.
Interesant ishte diskutimi i profesoreshës Zoja Buzallkovska nga Fakulteti i Arteve Dramatike, e cila duke folur për marrjen e titujve tha se ka njerëz si Goran Stefanovski që kanë përcjellë dituri të madhe, për asnjëri prej tyre nuk ka qenë doktor shkencash.
“A nuk mjafton vepra e tyre sa ajo e një doktori shkencash? A nuk janë shfaqjet e tyre analoge me punimet e publikuara në revista me impact factor? Të përparosh në fakultetin tonë është një punë e vështirë dhe me përgjegjësi”, tha ajo.
Ndërkaq Ivan Andonovski nga Fakulteti Filologjik “Bllazhe Koneski” tha se duhet të merren parasysh thirrjet shumëvjeçare – që maqedonistika të marrë një status të veçantë për shkak të mbrojtjes së interesave kombëtare.
“Universiteti i Lubjanës në disa segmente ka dispozita të veçanta që i referohen gjuhës sllovene, metodikës së sllovenistikës. Sipas Ligjit të atjeshëm për Arsimin e Lartë në Universitetin e Lubjanës ka dispozita që janë në drejtim të ruajtjes së gjuhës sllovene, ndërsa te ne nuk kemi diçka të tillë”, tha Andonovski.
Ndryshe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) më 16 shkurt filloi me vizita në universitetet në vend, si pjesë e debatit publik për Ligjin për Arsimin e Lartë. Sipas ministres së Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, përfaqësues nga MASH do të takohen me të gjithë profesorët që duan të marrin pjesë në debatin publik, ku do të diskutohen nenet kontroverse të Ligjit.
Zgjidhjet e reja ligjore për arsimin e lartë parashikojnë një mënyrë të re të financimit të institucioneve të arsimit të lartë, forcimin e kritereve për avancimin në titujt e fakultetit, riorganizimin e Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë dhe ndryshime në programet e studimit.
Pas përfundimit të debatit publik, do të miratohet versioni përfundimtar i Propozim-Ligjit për arsimin e lartë.





