Shkruan: Shkelzen Halimi
Në shoqërinë shqiptare paradokset jo vetëm që janë të shumta, por edhe të dhimbshme. Kështu, ndër të tjera, ka kohë që disa intelektualë shërbejnë vetëm si figurantë, si kukulla kineze e në rastin më të keq edhe si zbukurim i injorancës. Në vend që ata të jenë zëri kritik dhe ndërgjegje morale e kohës, në të shumtën e rasteve zgjedhin heshtjen ose marrin anën e pushtetet duke legjitimuar edhe shumë paradokse të tjera.
Karakteristikë e vetme e intelektualit përballë pushtetit është guximi për ta sfiduar atë, por edhe për t’i vënë në pikëpyetje mekanizmat e autoritetit që shërbejnë për manipulimin e popullit. Disa intelektualë të sotëm shqiptarë, sidomos nga Maqedonia e Veriut, të veshur me kostume e kollare, më shumë qëndrojnë para pasqyrës se sa para të vërtetave të shumta që po cenojnë të drejtat e shqiptarëve. Janë disa biçim analistë, kuptohet që mendojnë se janë intelektualë, të cilët jo që nuk kanë mendim të tyre për çështje vitale që ndërlidhen me indin kombëtar, por edhe atë që e thonë, nuk e kuptojnë as vetë, sepse edhe ata, të kamufluar, kanë zgjedhur rehatinë. Pra: edhe ujku i ngirë, edhe dhentë në numër. Dhe si të dëgjohet zëri i tyre, kur këta intelektualë, kanë disa apetite të çuditshme, të cilat nuk i kapërdin as shkenca fantastike. Kalkulimet e tyre që ta “gjuajnë gurin e ta fshehin dorën” shkojnë deri aty sa ata duan të lagen, por pa hyrë në ujë ose disa shkojnë edhe më larg dhe u ngjajnë disa femrave të cilat duan të ngelin shtatzënë, por pa pasur kontakt.
Është e natyrshme që rendi politik të “prodhojë” intelektualët e vet. Por, me disa intelektualë shqiptarë është ndryshe, ata i shkojnë vetë ujkut (pushtetit) në gojë. Intelektualët e këtij soji janë me dy fytyra, sepse ditën nëpër çajtore e kafene bëhen kinse mbajnë anën që u takon, kurse natën para pushtetit i ulin pantallonat. Ndaj dhe sot e kësaj dite nuk kemi një intelektual të vërtetë që është në gjendje ta artikulojë apo mbrojë qoftë edhe qëndrimin e elitës politike në pushtet.
Shumë intelektualë, të etur për pushtet, pajtohen që të jenë nën urdhrat e injorantëve partiak, të cilit, për shkak të devotshmërisë së tyre ndaj partisë, shpërblehen me vende udhëheqëse, duke i legjitimuar edhe moralisht strukturat sunduese partiake. Në këtë mënyrë intelektualit përfundimisht i qepet goja dhe bëhet shtyllë e ngufatjes së zërit kritik.
Përditshmëria na dëshmon se i ashtuquajtur intelektual shqiptar fare lehtë i justifikon vendimet politike edhe kur ato janë antishqiptare, ose duke u bërë figurë pushteti, zëri kritik shndërrohet në zëdhënës pushteti.
Fatkeqësisht, shumë intelektualë, gjithandej hapësirave shqiptare, janë bërë “fytyra publike” të pushtetit, duke krijuar iluzione të natyrave të ndryshme, me qëllim që pushtetit t’i zgjatet jeta sa më shumë. Ky lloj i intelektuali ynë ka kohë që është bërë pjesë e skenografisë së pushtetit, duke u shndërruar në një lloj drite të zbehtë që ndriçon fytyrën e atyre që nuk kanë as vizion e as dije.
Injoranca nuk është vetëm mungesë e dijes, por arrogancë e padijes. Pushteti i paditur gjithmonë kërkon legjitimitet, ndaj i drejtohet intelektualit, i cili shndërrohet në fasadë. Dhe ja tek arrijmë te simbioza fatale: injoranti sundon, kurse intelektuali bëhet dekor.
Është e qartë se shumë intelektualë shqiptarët nga ana e pushtetit trajtohen si stoli. Në fakt, intelektualët e përdorur nuk e kanë kuptuar se pushteti ka nevojë vetëm për hijen e tyre. Dhe kur hija zë vendin e substancës, errësira bëhet normë. Intelektuali i vërtetë, ai që ka mendim dhe vizion të qartë, kurrë nuk do të pranonte të bëhet pjesë e mobilimit simbolik të pushtetit. Në të kundërtën, do ta humbte kuptimin misioni i tij.



