Arrestohet në Malishevë kryesuesi që dyshohet për falsifikim të rezultatit të votimit

Një person është arrestuar në Malishevë nën dyshimin për veprën penale “Falsifikim i rezultatit të votimit”.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari që është arrestuar gjatë mëngjesit të së hënës, gjatë procesit zgjedhor ka ushtruar detyrën e kryesuesit të komisionit për numërim të votave të kandidatëve për deputetë.

Rasti lidhet me ngjarjen e raportuar më 23 janar, rreth orës 08:30, në Malishevë.

Pas intervistimit nga organet e rendit, me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Më 28 janar, cak i hetimeve në këtë komunë për falsifikim të rezultatit zgjedhor ishin 18 kryesues dhe 50 komisionerë zgjedhorë.