Takim Ali – Hoxha: Përballje me sfidat e ndryshimeve klimatike dhe fuqizimit të sistemit për menaxhimin e krizave

Drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK)  Muhamed Ali, sot u takua me ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha.

Siç informoi QMK, në takim u diskutua për forcimin e mbrojtjes së mjedisit jetësor, përballjes me sfidat e ndryshimeve klimatike dhe fuqizimin e sistemit për menaxhimin e krizave,

“Në takim u theksua nevoja për koordinim më të fuqishëm institucional dhe qasje strategjike në hartimin e politikave që do të kontribuojnë në mbrojtje më të madhe të mjedisit jetësor dhe menaxhim më efikas të rreziqeve dhe krizave, veçanërisht në kushtet e pasojave të shtuara nga ndryshimet klimatike. Të dyja palët theksuan rëndësinë e planifikimit të përbashkët, shkëmbimit të informacionit dhe harmonizimit të aktiviteteve në drejtim të parandalimit dhe përballimit në kohë të sfidave që rrjedhin nga fenomenet ekstreme të motit dhe rreziqet e tjera klimatike”, qëndron në kumtesën,

Nga QMK theksojnë se drejtori Ali dhe ministri Hoxha e konfirmuan gatishmërinë e tyre për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke lënë të hapura mundësitë për iniciativa të përbashkëta dhe aktivitete konkrete me interes të përbashkët, në funksion të mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe sigurisë së qytetarëve.