Rosanka Trajkovska jeton me djalin e saj Jovicën në fshatin Çellopek të Kumanovës. Tani ajo është më e qetë, pasi vrasësi serial nga i cili arriti të shpëtonte gruaja 86-vjeçare, ndodhet në paraburgim. Megjithatë, ajo është ende e shqetësuar, ndërsa shenjat në duart e saj dëshmojnë për luftën për jetë, edhe pse kanë kaluar dy javë që kur vrasësi hyri në shtëpinë e saj.
Vetëm fati e shpëtoi Rosankën nga vdekja e sigurt, thotë djali i saj, i cili tregon se më 9 shkurt, kur ndodhi ngjarja, ai ishte në punë. Dhunuesi u tremb nga një zhurmë e papritur, kështu që iku dhe e la të moshuarën të mbuluar në gjak.
Hetuesit pohojnë se e zbuluan sulmuesin e Rosankës pas vdekjes së një gruaje tjetër të moshuar nga fshati Staro Nagoriçan. Viktima jetonte në shtëpinë që ndodhet buzë rrugës që kalon nëpër fshat. Më 12 të këtij muaji u gjet e vdekur 78-vjeçarja Mira S. Ajo ishte rrahur dhe ngulfatur me jastëk. Jetonte vetëm, ishte pensioniste e Austrisë, ndërsa fillimisht ka dyshime se edhe është grabitur. Pas kësaj, policia arrestoi një 25-vjeçar nga fshati fqinj Dragomancë, por pas marrjes në pyetje u dyshua se ai është autor i disa vrasjeve.
Sipas informacioneve të Telma-s nga hetuesia, deri më tani po rishikohen pesë raste, tre nga ky vit dhe dy nga viti i kaluar. Të gjitha viktimat ishin gjetur të vdekura vetëm në shtëpi, por gjysmë të zhveshura, megjithatë asnjëherë nuk ishte kërkuar obduksion (autopsi) për to, pasi nuk ishin konstatuar gjurmë dhune.
Të njëjtat burime për Telma-n pohojnë se është e mundur të ketë edhe më shumë viktima edhe para kësaj periudhe që po hetohet tani.
Maqedoni TV Telma: Vrasësi serial në Kumanovë dyshohet për të paktën pesë viktima...





