Friedrich Merz ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Rusisë, duke theksuar se historia ka treguar qartë se politika e qetësimit ndaj agresorëve nuk prodhon paqe.
“Historia na mëson një gjë: politika e qetësimit nuk sjell paqe, por vetëm sa e trimëron agresorin”, deklaroi kancelari gjerman, duke paralajmëruar se një pacifizëm i verbër dhe naiv sot rrezikon të hapë rrugën për konflikte edhe më të mëdha nesër.
Sipas tij, kushdo që ndjek një qasje të tillë “nxit luftërat e së nesërmes”.
Lideri gjerman dënoi ashpër veprimet e Moskës në Ukraine, duke e akuzuar regjimin rus për zhvillimin sistematik të luftës kundër popullsisë civile.
“Ne kurrë nuk do ta pranojmë faktin që regjimi kriminal rus po bën luftë kundër të moshuarve, grave dhe fëmijëve”, u shpreh ai.
Merz shtoi se ofensiva ushtarake është shoqëruar me një propagandë që ai e cilësoi si “naziste” kundër popullit ukrainas, duke kujtuar se ky popull ka vuajtur historikisht si nga tirania gjermane ashtu edhe nga ajo ruse.
Deklaratat e kancelarit vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme në rajon dhe sinjalizojnë një vijë të fortë të Berlinit ndaj agresionit rus.



