“Ramazani”, restorantet filluan promovimin e menyve të iftarit

Middle Eastern Suhoor or Iftar meal

Me fillimin e Ramazanit, kanë nisur edhe promovimet online të menyve për sofrat e iftarit. Çmimet e tyre këtë vit janë më të larta nëse i krahasojmë me vitin e kaluar. Në varësi të restorantit, menyja më e lirë fillon nga 700 denarë për person ndërsa ajo më e shtrenjta shkon mbi 1500 denarë.

Ajo që ofrohet për menytë me çmime më të lira janë; hurma, çorbë, stek pule, dhe bakllavë në fund ndërsa për ato me çmime më të larta, në iftare servohet mishi i peshkut si ushqim kryesor.

Ata që ofrojnë çmimet më të ulëta janë zakonisht qebaptoret tradicionale nëpër çarshitë e qyteteve.

“Një porcion qebapë tek ne janë 280 denarë për 10 copë me bukë e spec dhe me qepë. Çmimi që është tani është edhe për ramazan por edhe për ditët tjera. Sa kushton një iftare këtu? Një iftare kushton 600-700 denarë, me lëng me sallatë me qebapë, gullash aq del çmimi”, tha një pronar i biznesit.

Por si e komentojnë qytetarët traditën e pritjes së iftareve në restorante dhe çfarë thonë për çmimet?!

“Iftari në shtëpi apo në restorant? Unë e praktikoj që të pres iftarin në shtëpi. Realisht për këtë popullatë standardi për restorante është shumë i lartë në krahasim me pagat që i marrin unë nuk e di si ia dalin në fund që të shkojnë edhe neper restorante të presin iftarin”, u shpreh një qytetar.

“Çmimet janë të ndryshme, diku janë shtrenjtë e diku janë më lirë. Ju ku e pritni iftarin? E pres në shtëpi, rrallë ndonjëherë shkojmë në ndonjë qebaptore”, tha një tjetër qytetar.

Ramazanin e shkuar, shumë restorante ofronin meny tradicionale iftari me një çmim mesatar prej 800–1.000 denarë, ndërsa këtë vit çmimet për meny të ngjashme fillojnë nga 1.000 deri në 1.500 denarë për person. /Alsat.mk