Azizi: VLEN-i po bëhet sepse është interes madhor, kemi parasysh drejtësinë dhe inkluzivitetin

Deputeti i VLEN-it Adnan Azizi tha se po zhvillohen biseda intensive për bashkimin e VLEN-it. Në një intervistë për Lajm TV, Azizi tha se ashtu sikurse kur u formua VLEN-i si koalicion, edhe procesi i bashkimit nuk është i lehtë dhe ka shumë peripeci, por ka besim të plotë se do të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme.

“Ka qenë një rrugë me plot peripeci, nuk ka qenë e lehtë, duke e ditur se në raste të tilla subjektet dhe individët duhet të sakrifikojnë, ashtu siç sakrifikoi Besa. Por, për një interes më madhor. Duhet të flaken interesat individuale, grupore dhe partiake për të ndërtuar një kala të madhe të quajtur VLEN që do t’i përfaqësojë shqiptarët dhe të jetë një shpresë e madhe e shqiptarëve”, deklaroi Azizi.

Ai tha se gjatë këtij procesi duhet të respektohet parimi i drejtësisë dhe gjithëpërfshirjes, duke reflektuar gjendjen reale në terren.

“Tani ka ardhur koha që ky proces të bëhet mbi parimet edhe të drejtësisë, edhe të përfaqësimit, edhe të inkluzivitetit dhe mospërjashtimit, ku secili do ta gjejë veten aty. Pa mos ia hëngër hakun askujt, por në të njëjtën kohë të reflektojë edhe gjendjen reale në terren”, tha Azizi.

Lëvizja Besa para disa ditësh shkarkoi Kryesinë e partisë, për t’i hapur rrugë bashkimit dhe strukturimit të VLEN-it.