Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se në periudhë prej një jave, sistemi “Safe City” ka regjistruar gjithsej 4.490 shkelje në komunikacion, përcjell TV21. Nga MPB thonë se në këtë periudhë kohore, 148 personave u janë marrë patentat e shoferit.
“Për një javë janë konstatuar 4.490 kundërvajtje në komunikacion përmes sistemit “Qyteti i Sigurt”, ndërsa numri i shkeljeve është ulur për 10% krahasuar me javën e parë të shkurtit. Në periudhën nga 09.02.2026 deri më 15.02.2026, nga sistemi “Qyteti i Sigurt” në zonat e qyteteve dhe korridoreve ku janë vendosur kamerat, janë regjistruar gjithsej 4.490 kundërvajtje, që paraqet ulje prej 10% krahasuar me javën e parë të muajit shkurt, kur ishin regjistruar 4.991 shkelje. Nga numri i përgjithshëm i kundërvajtjeve të regjistruara, më të shumtat janë për drejtim të automjetit me shpejtësi më të madhe se e lejuara – 4.297, pastaj për kalim në semafor me dritë të kuqe – 33, ndërsa për drejtim të automjetit me leje qarkullimi të skaduar janë konstatuar 160 shkelje. Gjithashtu janë shqiptuar gjithsej 148 masa “ndalim për drejtim të automjetit”, numër që shënon ulje prej 48,6% krahasuar me javën e kaluar, prej të cilave 33 janë për kalim në semafor të kuq, ndërsa 115 për tejkalim të shpejtësisë, prej tyre 99 për shpejtësi mbi 80 km/h në zonë të banuar, 12 për tejkalim mbi 10 km/h të kufizimit të shpejtësisë së vetë automjetit dhe katër për shpejtësi mbi 170 km/h jashtë zonës së banuar”, thonë nga MPB.


