Mbrojtja e prerë me ZPS-në: S’keni asnjë provë që Jakup Krasniqi ka vizituar vendet e ndalimit

Mbrojtja e Jakup Krasniqit po vazhdon me paraqitjen deklaratave përmbyllëse në gjyqin e madh ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Avokati Aidan Ellis, tha se Prokuroria e Specializuar nuk ka dhënë asnjë provë apo dëshmi që Jakup Krasniqi ka qenë në 50 vendet e ndalimit, ashtu siç pretendon ZPS, transmeton Klankosova.tv.

“Të hënën dëgjuam Prokurorinë kur tha se ka pasur më shumë se 50 vende ndalimi për të cilat janë ngritur akuza në aktakuzë. Për shumicën e këtyre vendeve nuk ka asnjë provë që Jakup Krasniqi t’i ketë vizituar këto vende në kohën konkrete apo të ketë pasur dijeni për ndonjë krim që mund të jetë kryer atje. Nuk është dhënë asnjë dëshmi, asnjë provë që zotëri Krasniqi të ketë qenë në këto vende, përfhsirë Drenocin, Budakovën, Jeshkovëm,. Dobratin, Qirezin, Bubël, Zllashë, Verbanin edhe disa vende në Prizren, Gllanasellën, Novosellë e Ulët, Gjilanin, Suharekën, Novobërdën dhe të tjera”, tha ai.

Po ashtu, Ellis shtoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk e ka shpjeguar sesi mund të vërtetojë lidhjen e Krasniqit me këto vende ndalimi.

“As nuk e ka shpjeguar Prokuroria se si mund ta vërtetojë lidhjen mes personit në fjalë dhe vizitave në vendin e ndalimit. Edhe të hënën kur Prokuroria theksoi disa vende të tjera, kjo nuk do të thotë se aty ka qenë zotëri Krasniqi”, u shpreh avokati.