Këshilli i Prokurorëve Publikë nesër pritet ta mbajë mbledhjen e 38-të, me pikën e vetme në rend të ditës, dhënia e mendimit të Qeverisë lidhur me propozimin për emërimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përcjell TV21. Këshilli i PP-së, në përputhje me afatet ligjore, duhet brenda 15 ditësh t’i japë mendim pozitiv ose negativ Qeverisë, pas së cilës Qeveria i propozon Kuvendit njërin nga kandidatët që ka marrë mendim pozitiv.
Qeveria, në seancën e 3 shkurtit, mori konkluzion në lidhje me pesë kandidatët për kryeprokuror dhe, në përputhje me dispozitat ligjore, i dorëzoi ato në Këshillin e Prokurorëve Publikë, pasi Kuvendi paraprakisht e kishte informuar Qeverinë për përfundimin e shpalljes për kryeprokuror dhe ia kishte dërguar listën me kandidatët.
Nga shërbimi për shtyp i Kuvendit nuk i zbuluan emrat e kandidatëve, por siç konfirmuan vetë disa nga të paraqiturit, bëhet fjalë për ushtruesen aktuale të detyrës prokurore shtetërore Anita Topollova-Isajllovska, prokuroren Lençe Ristovska, gjyqtarin nga Gjykata Penale Nenad Savevski, ish-kryetarin e Gjykatës Penale Vladimir Pançevski dhe prokuroren nga Prokuroria e Shkupit Lidija Rajçeviq.
Njëri nga pesë të paraqiturit pritet ta pasojë Ljupço Kocevskin, i cili në dhjetor të vitit të kaluar paraqiti dorëheqje të parevokueshme në ditën kur Kuvendi pritej ta shkarkonte, ndërsa në vend të tij si ushtruese detyre e prokurores shtetërore erdhi prokurorja Topollova-Isajllovska, e cila ishte kandidate e vetme, por nuk mund të qëndrojë në këtë pozitë më shumë se gjashtë muaj si ushtruese e detyrës.
Procedura për zgjedhjen e prokurorit të ri shtetëror filloi me shpalljen që e publikoi Kuvendi më 12 janar të këtij viti, me afat për paraqitje prej 15 ditësh nga dita e publikimit në “Gazetën Zyrtare”. Kandidatët duhet të kenë përvojë pune të pandërprerë prej së paku 10 vjetësh si prokurorë publikë ose gjyqtarë në fushën e së drejtës penale.
Sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, kandidaturat e pranuara i dërgohen Qeverisë. Pas paraqitjes, Qeveria kërkon mendim nga Këshilli i Prokurorëve Publikë për të gjithë kandidatët. Këshilli është i obliguar të dorëzojë mendime të arsyetuara brenda 15 ditësh. Nëse Këshilli nuk jep mendim pozitiv për asnjërin nga kandidatët e paraqitur, Qeveria nuk mund të përcaktojë propozim dhe i propozon Kuvendit shpalljen e një konkursi të ri. Me 61 vota të deputetëve duhet të zgjidhet kryeprokurori.



