Uzairi largohet nga ASH-Taravari: Rruga ime përfundon këtu, por zemra ime mbetet me ju

Garaf Uzairi ka njoftuar largimin e tij nga Aleanca për Shqiptarët, duke e cilësuar këtë si një moment vendimtar dhe emocional në jetën e tij politike.
Në një postim drejtuar anëtarëve, aktivistëve dhe qytetarëve, Uzairi theksoi se vendimin e ka shprehur edhe në Kuvendin e partisë, duke e konsideruar si një pikë reflektimi dhe mirënjohjeje për rrugëtimin e përbashkët. Ai u shpreh se gjatë gjithë angazhimit të tij është udhëhequr nga ideali që çdo veprim dhe vendim të jetë në shërbim të kauzës dhe mirëqenies së popullit.

Uzairi rikujtoi se Aleanca për Shqiptarët lindi si një nevojë e kohës, nga idealistë që besonin se shqiptarët nuk ishin të përfaqësuar denjësisht. Sipas tij, partia u ngrit në kohë të vështira, me guxim dhe vendosmëri, duke u bërë shtëpi shprese për ata që besonin në ndryshim dhe drejtësi.

Në mesazhin e tij, ai falënderoi bashkëudhëtarët dhe themeluesit e lëvizjes për energjinë dhe përkushtimin ndër vite, ndërsa kërkoi falje për çdo gabim apo pakënaqësi që mund të ketë shkaktuar gjatë angazhimit të tij.

Një falënderim i veçantë ai ia adresoi kryetarit Arben Taravari, duke theksuar se pavarësisht mospajtimeve të herëpashershme për vendime të caktuara, besimi dhe respekti reciprok nuk janë lëkundur.

“Rruga ime në Aleancë përfundon këtu, por shpirti dhe zemra ime do të mbeten gjithmonë pjesë e kësaj lëvizjeje,” përfundon Uzairi në mesazhin e tij, duke falënderuar aktivistët dhe simpatizantët për mbështetjen dhe përkushtimin ndër vite.