Nëna e ish-presidentit Thaçi mbështet fuqishëm marshin e 17 shkurtit

Përfaqësuesit e platformës “Liria ka emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, vizituan sot nënën e ish-presidentit Hashim Thaçi, Nënën Hyrë, duke marrë mbështetje të fuqishme për marshin që pritet të mbahet më 17 shkurt në ora 14:00, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

“Sot, në Burojë, te pragu i një nëne që ka dhënë shumë për këtë vend, ndjemë peshën e historisë dhe forcën e heshtur të qëndresës. Nënë Hyrë, nëna e Presidentit Thaçi, qëndron si simbol i sakrificës, dinjitetit dhe besimit se drejtësia do të triumfojë. Dhe ne besojmë njësoj: Presidenti do të kthehet në shtëpi, aty ku e presin familja, populli dhe Kosova,” thuhet në postimin e platformës, transmeton Klankosova.tv.

“Sepse liria jonë nuk është rastësi. Është sakrificë. Është betim. Është histori që nuk zhbëhet. Më 17 shkurt, marshojmë jo vetëm me hapa, por me zemër. Për drejtësi. Për dinjitet. Për kthimin e çlirimtarëve në shtëpi,” përfundon postimi.