Gjykatësi që kopjoi Escobarin dhe politika që licencoi kanabisin mjekësor

Shkruan: Florian NESIMI

Çfarë e lidh gjykatësin Gjoko Ristov, të cilit iu gjetën 350,000 euro në mur, me Pablo Escobarin? Përgjigjja është e thjeshtë: që të dy i fshihnin paratë në mure. Siç duket, gjykatësi Ristov taktikën e fshehjes së parave e ka kopjuar pikërisht nga “mbreti i drogës”.

Megjithatë, këtu përfundon ngjashmëria dhe nis tragjedia. Ndërsa Pablo Escobar i fshihte paratë nëpër mure sepse fitonte aq shumë saqë as sistemi bankar nuk mund t’i procesonte, gjykatësi Ristov i ka fshehur ato për një arsye tjetër: t’i mbulojë gjurmët e krimit. Dallimi është i qartë: Escobar i fshihte paratë sepse ishte armiku numër një i shtetit; ndërsa Ristov i fshihte ato sepse, ndonëse ishte njeriu i ligjit, ai funksiononte si pjesë e një karteli institucional.

Ky “kopjim” i metodave të mafias nga një njeri i drejtësisë dëshmon rënien përfundimtare të sistemit tonë. Por, ky degradim i gjyqësorit nuk lindi përnjëherësh. Ai i ka rrënjët e thella para 15 vitesh, kur drejtësia u shndërrua në një tezgë pazari. Siç dëshmuan bisedat e përgjuara të asaj kohe, emërimet e gjykatësve dhe prokurorëve bëheshin si shkëmbime tregtare mes partnerëve të koalicionit: “Mua m’i jep dy gjykatës këtu, unë të jap ty tre prokurorë atje.” Kjo logjikë e “aksham pazarit” e shndërroi gjykatën në shërbëtor të partisë, ndërsa gjykatësit filluan të murosin qindra mijëra eurot në muret e shtëpisë.

Por, “muret” e drejtësisë nuk janë të vetmet që po shemben. Teksa gjykatësit fshehin paratë, fushat e Maqedonisë së Veriut janë shndërruar në rezervuarë të një biznesi që ka dalë jashtë kontrollit. Sekuestrimi i fundit i mbi 40 tonëve marihuanë — që përbën një rekord botëror — nxori në dritë lidhjen e tmerrshme mes tregtarëve serbë dhe kompanive vendase të kanabisit “mjekësor”.

Për të kuptuar këtë narko-kaos, duhet të kthehemi vite pas, kur qeveria e asaj kohe e promovoi legalizimin e kanabisit si një “ringjallje ekonomike”. Sot, rezultati është një infrastrukturë e pastër kriminale dhe pyetjet që kërkojnë përgjigje urgjente janë: Si lëshoheshin licencat dhe kush qëndronte pas atyre kompanive? Ku përfundonte marihuana e prodhuar dhe kush e mbronte tregtinë e paligjshme? Kush përfitoi dhe sa?

Të fshehësh 40 tonë material bimor nuk është aspak e thjeshtë; në një vend të vogël si i joni, është thuajse e pamundur. 40 tonë marihuanë nuk janë pako heroine apo kokaine që mund të fshihen lehtësisht në muret e shtëpisë; ato janë një masë gjigante që zë hapësirë dhe përhap erë. Ky sekuestrim rekord tregon se nuk bëhet fjalë për zhvillim ekonomik, por për funksionimin e krimit të organizuar nën bekimin e licencave shtetërore.

Kur 350 mijë euro mbyllen në murin e një gjykatësi dhe 40 tonë drogë “mbyllen” në depo me leje zyrtare, kuptojmë se ky vend nuk ka nevojë vetëm për një vetting sipërfaqësor. Sistemi ynë ka nevojë për një “ekskavator” që do t’i rrënojë këto mure të korrupsionit deri në themel, përpara se çatia e këtij shteti të na bjerë të gjithëve mbi kokë.