Ndryshim te Samsunspor, largohet trajneri para përballjes me Shkëndijën

Vetëm pak ditë para një përballjeje të rëndësishme evropiane, situata te Samsunspor ka marrë një kthesë të papritur. Klubi turk hyn në javën e “play-off”-it me ndryshime të mëdha në stafin udhëheqës, njofton Telegrafi.

Humbja 3:1 në udhëtim ndaj Antalyaspor rezultoi vendimtare për fatin e trajnerit Thomas Reis. Menjëherë pas ndeshjes, drejtuesit e klubit konfirmuan ndarjen përmes një komunikate zyrtare, duke e falënderuar teknikun gjerman për kontributin e tij. Nën drejtimin e Reis, Samsunspor arriti një sukses historik me vendin e tretë në kampionat dhe paraqitje dinjitoze në arenën europiane, përfshirë pjesëmarrjen në UEFA Ligën e Konferencës.

Kësisoj, skuadra turke do të udhëtojë drejt Shkupit me një staf të ri teknik, në një moment delikat dhe me pak kohë për t’u stabilizuar para sfidës kontinentale.

Nga ana tjetër, KF Shkëndija e ka nisur mbarë kampionatin, duke marrë një fitore të rëndësishme në derbin ndaj Struga Trim & Lum. Tetovarët kërkojnë vazhdimësi edhe në përballjen e sotme të pasdites në transfertë ndaj Tikveshit në Kavadar, një test i rëndësishëm para sfidës evropiane.

Të enjten (19 shkurt), në Shkup, Shkëndija dhe Samsunspor do të përballen në “play-off”-in e UEFA Ligës së Konferencës, në një duel që tashmë merr edhe më shumë peshë pas zhvillimeve të fundit në kampin turk.