Struktura organizative në Spitalin e Qytetit në Kumanovë është diskriminuese dhe nuk respektohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat.
Në disa reparte, nuk ka asnjë shqiptarë, ndërsa në repartet që i takojnë shqiptarëve nuk është bërë asnjë lëvizje. Pasqyra organizative rezulton kështu: në Interno, kryeshefi maqedonas, kujdesi intenziv, maqedonas dhe te diabeti maqedonas.
Gjashtë maqedonas, asnjë shqiptar edhe pse dy pozita janë paraparë për mjek shqiptarë. Pediatria, maqedonas. Kirurgjia: kryeshefi maqedonas dhe shefi i sallës maqedonas. Për anestezi nuk ka as mjek dhe as kryeshef.
Ndërsa motra kryesore është maqedonase. Reparti infektiv, maqedonas, psikiatria dhe psikologjia, maqedonas, urgjenca-motra kryesore maqedonase, ndërsa njëjtë është edhe dermatologjia. Gjithashtu edhe bordi dhe administrata publike janë të pa përfaqësuara në raport me përqindjen e shqiptarëve, përkatësisht 40 për qind.
Drejtori aktual Sasho Stoshevski thotë pozitat merren sipas meritës dhe jo sipas përkatësisë etnike.
“Me përgjegjësi deklaroj dhe qëndroj pas asaj se në spitalin e Kumanovës nuk ka hapësirë për parti politike, nuk ka hapësirë për përkatësi fetare dhe etnike. Çdo kush që do të punojë, që tregon interes, që është i gatshëm të udhëheq është i vendosur në pozitë të përgjegjshme dhe në vende përgjegjëse, pa dallim nëse është maqedonas, shqiptar, turk apo rom”, tha Sasho Stoshevski, drejtor i Spitalit të Kumanovës.
Aktualisht shqiptar ka vetëm në repartin e Gjinekologjisë, Ortopedisë, Radiografi dhe ORL. Shqiptarët më të përfaqësuar janë në shërbimin teknik, ndërsa udhëheqësja e farmacisë, avokati dhe sekretari janë maqedonas. Në rrethana jo zyrtare mësohet se Stoshevski çështjet nuk i ka adresuar te partitë politike, nga ku edhe duhet të buron marrëveshja për mbulimin e reparteve dhe udhëheqjen e tyre në proporcion me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.





