Nis rikonstruimi i rrugës “Ferid Murad” në Çair! 22 milionë denarë nga Banka Botërore, 4 milionë nga komuna

Filloi rikonstruimi i tërësishëm i rrugës “Ferid Murad” në Komunën e Çairit. E gjatë një kilometër, faza e parë do të ndërtohet në bashkëpunim me Bankën Botërore, që kushton rreth 22 milionë denarë, ndërsa me 4 milionë denarë merr pjesë komuna e Çairit, përcjell TV21. Kryetari i Shkupit tha se kjo rrugë është një arterie e rëndësishme për siguri në trafik që do të zgjidhet në periudhën e ardhshme.

“Dy korsi qarkullim të lirë të veturave, nga të dy anët do të ketë vendparkime legale për 200 vetura, po ashtu parashihet të ketë korsi për biçikleta, nga të dy anët do të ketë trotuare d.m.th për lëvizjen e qytetarëve, me ndriçim të ri dhe po ashtu do të ketë dy rreth-rrotullime. Rikonstruimi rreth rrotullimit të parë dhe mandej do të ketë një rreth-rrotullim të dytë te shkolla “Ismail Qemali” dhe duke përfunduar në rrethrrotullimin e tretë te monumenti i shqiponjës”, tha Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit.

“Me këtë projekt të përbashkët do të rritet siguria jo vetëm për këmbësorët, jo vetëm për çiklistët por edhe për shfrytëzuesit e automjeteve. Shumë shpesh në të kaluarën në Çair në këtë rrugë të ndodhin aksidente trafiku, të shkaktuara nga automjetet, pamundësi për të funksionuar në normalitet në të gjithë këtë shteg”, theksoi Orce Gjorgjievski, Kryetar i Qytetit të Shkupit.