“Qëllimi ynë i përbashkët si Këshill Gjyqësor është të përpiqemi të përmirësojmë situatën në gjyqësor dhe të rrisim nivelin e besimit të qytetarëve në gjyqësor”, – tha Sadulla Izairi, anëtari i ri i Këshillit Gjyqësor nga komunitetet jo-shumicë i cili u zgjodh nga gjyqtarët në zgjedhje të drejtpërdrejta në janar të këtij viti, transmeton Portalb.mk.
Sot, ai mbajti deklaratë solemne para kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, dhe falënderoi gjyqtarët që votuan që ai të zgjidhet si anëtar i ri i Këshillit Gjyqësor. Në deklaratën solemne mori pjesë edhe kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, i cili e uroi Izairin për zgjedhjen e tij dhe falënderoi gjyqtarët që votuan për të, duke thënë se bënë zgjedhjen e duhur.
Izairi tha se pritjet e gjyqtarëve janë të njëjta me pritjet e qytetarëve ndaj Këshillit Gjyqësor – për gjyqësor më efikas dhe të pavarur.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, tha se Këshilli nuk është i kompletuar plotësisht dhe se mungon edhe një anëtar tjetër i cili duhet të zgjidhet nga Parlamenti.
“Ne tashmë po funksionojmë, por kur të jemi plotësisht të përgatitur do të jemi në gjendje të funksionojmë edhe më mirë. Sa i përket agjendave të reformave, mendoj se Këshilli Gjyqësor është përpara të gjitha institucioneve. Ajo që ishte detyrim, tashmë është bërë nga ana jonë dhe shpresojmë se do të kemi sukses, jo vetëm ne, por i gjithë vendi do të ecë drejt atyre proceseve”, tha Kambovski.
Zgjedhja për anëtar të Këshillit Gjyqësor erdhi pas përfundimit të mandatit gjashtëvjeçar të gjykatësit Hanif Zendeli nga Gjykata e Apelit Gostivar, i cili u zgjodh anëtar i Këshillit më 22 janar 2020.
Në janar, me propozim të presidentes së shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, për anëtare të Këshillit Gjyqësor u zgjodhën avokatja Suzana Joshevska-Anastasovska dhe profesoresha universitare Arlinda Kadri-Shahinoviq.
Këshilli Gjyqësor numëron 15 anëtarë, prej të cilëve tetë zgjidhen nga gjyqtarët aktivë, dy janë anëtarë sipas funksionit (kryetari i Gjykatës Supreme dhe ministri i Drejtësisë – pa të drejtë vote), tre zgjidhen nga Kuvendi, ndërsa dy zgjidhen nga Kuvendi me propozim të presidentit të shtetit.





