Në nisje të seancës në Hagë, avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka vënë në dukje se shkatërrimet dhe dhimbja e shkaktuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, kanë qenë të jashtëzakonshme, dhe fakti që shumë persona kanë përjetuar ngjarje traumatike është shqetësues për të gjitha palët.
Ai tha se sipas studimeve, 65% e popullsisë që ka përjetuar trauma gjatë luftës vazhdon të tregojë simptoma të stresit posttraumatik edhe pas më shumë se 10 vitesh.
“Studimet kanë treguar që një numër shumë i lartë i pacientëve të patrajtuar në Kosovë vazhdojnë të tregojnë simptoma vite pas përfundimit të luftës. Kjo kohë nuk i shëron të gjitha plagët dhe kjo vlen për të gjitha konfliktet”, u shpreh Dixon, transmeton Klankosova.tv.
Ndër të tjera, avokati theksoi se pamundësia për të arritur drejtësinë vetëm thellon dhimbjen dhe vuajtjet e viktimave, dhe situata bëhet më e rëndë kur përfshihet mashtrimi nga sistemi i drejtësisë.
“Viktimat kanë nevojë për drejtësi e bazuar në të vërtetën dhe realitetin. Viktimat e dinë shumë mirë se padrejtësia më e keqe është drejtësia e pretenduar apo fallco. Në synimin për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, që është e domosdoshme, duhet të mos sakrifikohet e vërteta. Gjykatat tona duhet të jenë me integritet, pavarësisht nëse duhen pesë vite apo më gjatë për të arritur në përcaktimin e së vërtetës”, shtoi ai.



