Maqedonia e Veriut nuk ka shënuar përparim as këtë vit në luftën kundër korrupsionit. Sipas raportit më të ri të Transparency International Maqedoni vendi edhe këtë vit ka 40 pikë në Indeksin për perceptimin e korrupsionit, që do të thotë se nuk është shënuar përparim thelbësor në krahasim me vitin e kaluar. Nga Transparency International thanë se, formalisht, jemi të pozicionit katër vende më lartë lartë këtë vit, megjithatë kjo është për shkak se vende të tjera kanë pasur rezultate më të dobëta.
Problemet kryesore sistemike vazhdojnë të mbeten reformat e pasuksesshme dhe të papërfunduara në gjyqësor dhe prokurori, të cilat nuk arrijnë të sigurojnë një sistem drejtësie efikas, të pavarur dhe të përgjegjshëm. Për më tepër, sipas tyre, zhvillimet që lidhen me ish-kryetaren e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit kanë dëmtuar seriozisht besimin e publikut ndaj institucioneve të ngarkuara me luftën kundër korrupsionit.
Transparency International Maqedoni
“Shqetësues është edhe procesi jotransparent i hartimit të ndryshimeve në Kodin Penal, si dhe përmbajtja e tyre, e cila jo vetëm që nuk kontribuoi në forcimin e kornizës antikorrupsion, por në segmente të caktuara e dobësoi atë. Po ashtu, ende nuk janë miratuar Ligji i ri për informatorët, si dhe ndryshimet në Ligjin për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, që janë ndër ligjet më të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit”.
Sipas renditjes, Maqedonia e Veriut gjendet në të njëjtin grup me Bullgarinë, Tanzaninë, Hungarinë, Kubën, Burkina Fason dhe Guajanën.
Nga vendet e rajonit, Kosova është e renditur më mirë, duke u pozicionuar në vendin e 76-të, si dhe Mali i Zi, i cili me 46 pikë ndodhet në vendin e 65-të.
Më keq se Maqedonia e Veriut janë renditur Bosnja dhe Hercegovina, e cila mban vendin e 109-të, si dhe Serbia, e cila me 33 pikë ka rënë në vendin e 116-të.
Teuta Buçi /SHENJA/



