Krerët më të lartë të shtetit të Kosovës, përfaqësues të subjekteve politike, të komunës së Prishtinës, veteranë e familjarë kanë bërë homazhe pranë përmendores së heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë, në përvjetorin e rënies së tij dhe bashkëluftëtarëve Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha.
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, përfaqësues të tjerë institucionalë, kryetari i AAK-së, familjarë e veteran, dhe vendosën lule të freskëta dhe theksuan rëndësinë e sakrificës së tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Presidentja Vjosa Osmani e cilësoi 31 janarin si një nga ditët më me peshë dhe më frymëzuese në historinë e Republikës së Kosovës. Ajo theksoi se rënia e tre heronjve i dha kumtin lirisë dhe frymëzoi një popull të tërë të luftojë kundër mohimit shekullor.
“Në këtë ditë ranë Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, që të tre heronj të Republikës së Kosovës, duke dhënë kështu kumtin e lirisë dhe duke inspiruar një popull të tërë që të luftojë për lirinë që na ishte mohuar me shekuj. Natyrisht që kjo sakrificë e tyre ka vënë themelet e forta të Republikës së Kosovës, themele në këto që edhe sot qëndron shteti ynë sovran, i pavarur, i cili u ndërtua me gjak, i cili u ndërtua me mund dhe me shumë sakrificë e ndër to, ndër sakrificat më të rëndësishme që vërtet i dhanë peshë lirisë sonë dhe i japin dritë rrugës sonë përpara, ishte edhe sakrifica e Zahir Pajazitit me shokë, të cilët i kujtojmë sot“, tha ajo, raporton KP.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, pasi kujtoi se homazhet u bënë bashkë me presidenten, nënkryetaren e kuvendit, kolegë nga qeveria, aktivistë dhe ish-luftëtarë, e përshkroi Zahir Pajazitin si një luftëtar të paepur dhe një guerilas me aksione tejet të suksesshme.
Sipas tij, forcat serbe i vranë më 31 janar 1997, sepse ishin të tmerruara nga veprimtaria e tyre.
“Aq shumë ishin tmerruar forcat armike të Serbisë nga Zahir Pajaziti, saqë vetëm kurthi, pusia, prita mund t’ju jepte shans forcave okupatore që ta eliminonin Zahir Pajazitin. Rënia e tyre i dha një hov të jashtëzakonshëm edhe vetëbesimit popullor, por gjithashtu edhe shtimit të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ashtu qysh nuk mund ta mësojmë e kuptojmë historinë tonë më të re pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ngjashëm nuk mund ta kuptojmë e mësojmë edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pa figurën e jashtëzakonshme të komandantit Zahir Pajaziti. Në çdo janar ne i përkujtojmë ata, i kujtojmë ata në mënyrë që t’ia kujtojmë e përkujtojmë vetes sonë çmimin e lartë që kemi paguar për shtetin që kemi dhe lirinë që gëzojmë, por në të njëjtën kohë edhe për të shprehur zotimin tonë për përgjegjësitë më të larta shtetërore që kemi, se do të vazhdojmë rrugës së dëshmorëve dhe martirëve të kombit, gjaku i të cilëve është në themelet e Republikës së Kosovës. “, tha ai.
Edhe nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i cilësoi tre heronjtë si figura themeltare të rezistencës së armatosur dhe të UÇK-së. Ajo theksoi se Zahir Pajaziti ishte një nga ideatorët dhe organizatorët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.



