Njëra veturë u shkrumbua, tjetra u dëmtua! Policia me detaje rreth zjarrit në afërsi të Dyqangjikut

Policia bën të ditur se një veturë është shkrumbuar plotësisht ndërsa një tjetër është dëmtuar krah saj pas zjarrit që shpërtheu në rrugën “Brigada maqedono-kosovare”, respektivisht në udhëkryqin mes kësaj rruge, Bulevardit “Nikolla Karev” dhe rrugës “Slavej Planina” në Shkup, përcjell TV21. Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se fatmirësisht, nga zjarri nuk ka të lënduar.

“Sot (30.01.2026) në orën 11:40 në SPB Shkup është raportuar se në bulevardin “Nikolla Karev” në Shkup ka shpërthyer një zjarr në automjetin “Renault Clio” në lëvizje, i drejtuar nga A.G. (47) nga Shkupi. Automjeti u shkatërrua plotësisht nga zjarri, ndërsa flakët kapluan edhe një automjet tjetër “BMW”, pronë e A.A. (48) nga Shkupi. Nuk ka persona të lënduar. Zjarri u shua nga Brigada e Mbrojtjes nga Zjarri në Shkup”, thonë nga MPB për TV21.