Bllokadë në Ballkan: Shoferët kundër sistemit të ri digjital të BE-së

Shoferët e kamionëve në disa vende të Ballkanit kanë bllokuar sërish pikat kufitare në shenjë proteste kundër sistemit të ri digjital të BE-së për hyrje-daljet (EES). Protestat u zhvilluan në Bosnje, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, duke shkaktuar kolona të gjata kamionësh, veçanërisht në kufirin Kroaci–Serbi. Sipas Dhomës Serbe të Tregtisë, ekonomitë e rajonit humbin rreth 100 milionë euro në ditë nga eksportet.

Protesta lidhet me zbatimin më të rreptë të rregullit të qëndrimit 90 ditë brenda 180 ditëve në BE, i cili tani kontrollohet më lehtë përmes sistemit EES që regjistron edhe të dhëna biometrike. Shoferët kërkojnë përjashtime nga këto rregulla dhe garanci që të mos arrestohen. Komisioni Europian ka deklaruar se është në dijeni të shqetësimeve dhe po e ndjek situatën, ndërsa BE mbetet partneri kryesor tregtar i Ballkanit Perëndimor.