Partitë dorëzojnë përfaqësuesit për Kodin Zgjedhor, pritet takimi i parë i grupit punues

Partitë parlamentare kanë dorëzuar emrat e përfaqësuesve të tyre për në grupin punues për Kodin Zgjedhor. Lista e deputetëve tanimë i është dërguar ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov, i cili më pas duhet të caktojë takimin e parë. Grupi punues përbëhet nga dy deputetë nga VMRO-DPMNE, LSDM, VLEN, BDI, ZNAM, E Majta dhe dy krahët e Aleancës. Në grupin punues do të jenë edhe Bejxhan Iljas nga PDT, dhe Monika Zajkova nga PLD.

“Besoj se do të punojë me dinamikë të përshpejtuar, do të punojë në bazë të parimit të konsensualitetit, gjithë përfshirjes dhe duke u zhvilluar këtu në Kuvend ky dialog jam i bindur se do të arrijmë te një Kod Zgjedhor, i cili do t’i përmbushë kriteret edhe të partive politike edhe gjitha subjekteve të tjera të implikuara në procesin zgjedhor”, tha Afrim Gashi – Kryetar i Kuvendit.

Nga ana tjetër Gashi tha se në Kuvend ende nuk ka arritur asnjë propozim lidhur me shfuqizimin e Qeverisë Teknike. Kur të mbërrijë pret dakordësi nga të gjitha partitë politike.

“Edhe me 61 vota nëse merret një vendim i atillë, nuk ka asnjë problem nga aspekti i procedurës por nga aspekti politik i rëndësisë mendoj që duhet të tentojmë deri në fund me të gjithë aktorët politikë që ta kuptojmë dhe të bindemi bashkërisht se nevoja për të pasur qeveri teknike ka përfunduar dhe të vazhdojmë të funksionojmë si çdo shtet normal””, tha Afrim Gashi – Kryetar i Kuvendit.

Gashi theksoi se shumica parlamentare nuk është zgjeruar edhe përkundër faktit që në votimin e ligjit për kundërvajtje dhe zgjedhjen e Avokatit të Popullit kishte mbi 80 vota. Sipas tij, mbështetja e opozitës ishte nga pjekuria dhe në interes të qytetarëve./ Alsat.mk