Prokuroria vazhdon aksionin kundër grupit të dytë të të dyshuarve për manipulim me vota në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka vazhduar të enjten aksionin kundër të dyshuarve lidhur me manipulimet me vota.

Prokuroria ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren, po vazhdojnë hetimet e zgjeruara lidhur me grupin e dytë të dyshuarve në Prizren.

“Hetimet kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parashikuara në Kapitullin XVIII lidhur me shkeljen e të drejtave të votimit dhe Kapitullit XXXIII Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Për dallavere me votat e kandidatëve për deputetë, javën e shkuar janë intervistuar 109 persona në Prizren ndërsa 23 prej tyre janë në paraburgim.

E Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar masë paraburgimi për 15 kryekomisionerë të ndaluar të mërkurën nën dyshimin se në komunën e Malishevës i devijuan mbi 17 mijë vota të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Gjatë rinumërimit janë hasur manipulime edhe në komunat e tjera.