Një dokument i rëndësishëm i përgatitur nga Shtetet e Bashkuara për dialogun Kosovë–Serbi pritet të bëhet publik gjatë muajve mars–prill. Kështu thotë eksperti i çështjeve të Ballkanit, Dushan Janjiq.
Në një intervistë për Radio Kosovën, ai thotë se ku dokument shënon një fazë të re të përfshirjes së drejtpërdrejtë amerikane në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
I pyetur se: Kur flisni për një dokument të përgatitur nga Shtetet e Bashkuara, a keni informacion konkret mbi përmbajtjen dhe statusin e tij, apo bëhet fjalë për një analizë politike?
Janjiqi u përgjigj: Unë mund të them se statusi është përafërsisht i njëjtë me atë që ishte një vit më parë, në lidhje me ligjin e sapomiratuar për Ballkanin Perëndimor. Kjo tregon se ekziston një komunikim i vazhdueshëm. Edhe në SHBA ka ekspertë dhe lobistë, dhe këtë e di veçanërisht pala shqiptare, sepse ata janë më efikas. Kjo praktikë ka vazhduar që prej viteve ’90-ta, me një mbështetje të fortë të diasporës shqiptare dhe me koordinim të dukshëm, pavarësisht se kush është në pushtet në Prishtinë. Personalisht, unë komunikoj kryesisht me disa kongresmenë dhe ekspertë dhe më pas jam rregullisht në listën e informimit për atë që ndodh në Kongres. Në këtë rast konkret, informacioni për dokumentin më erdhi pikërisht nga këto burime ekspertësh, për shembull nga një kongresmen, i cili tha se kjo mund të ndodhë në mars ose prill. Ky është informacioni që kam marrë atje. Për sa i përket qëndrimit tim ndaj këtij dokumenti, natyrisht bëhet fjalë për një forum që lidhet me marrëdhëniet etnike. Çdo herë që është punuar diçka, ajo është dërguar jo vetëm në Kongres, por edhe te ekspertët dhe miqtë me të cilët bashkëpunojmë. Për shembull, një nga dokumentet bazë të forumit quhet “Qëndrimet e Forumit” dhe daton nga viti 2016. Në Serbi askush nuk na ka thirrur për bisedime, edhe pse ne e kemi bërë këtë brenda dialogut të brendshëm të shpallur nga Aleksandar Vuçiq. Mendoj se pikërisht kjo e ka motivuar Vuçiqin ta ndërpresë dialogun, jo me ne konkretisht, por në përgjithësi. Ekziston ky komunikim në kuptimin që ne marrim informacione dhe ofrojmë ide. Ai bisedim konkret zgjati rreth 40 minuta dhe, në fund, mora informacionin, dhe aty përfundoi. Siç e dini, fillimisht dokumenti shkon në një nga komisionet apo nënkomisionet e Kongresit, pastaj te komisioni kryesor. Por, siç pamë në rastin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës – që përfshin komunat: Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë – vendimi u miratua shumë shpejt. Kjo krijoi detyrimin për të bërë një vlerësim të situatës dhe për të rregulluar çështjen e pakicës shqiptare. Ky dokument lidhet me çështje që kanë shqetësuar politikën e Serbisë dhe të Kosovës për një kohë të gjatë dhe që kanë qenë objekt interesi për të gjithë, veçanërisht për Bashkimin Evropian. Bëhet fjalë për statusin e Kosovës, por edhe për statusin e komunitetit serb brenda Kosovës, Kishën Ortodokse serbe dhe trashëgiminë kulturore. Kjo është e gjithë çështja.



