Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përkujtuar sot 4-vjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit dhe revolucionarit shqiptar, Rafi Halili, duke e vlerësuar atë si një personalitet të rëndësishëm të organizimit politik dhe kombëtar të shqiptarëve.
Përmes një mesazhi përkujtimor, Ahmeti theksoi se Rafi Halili ishte pjesë e përpjekjeve të pandërprera për liri, drejtësi dhe barazi, duke dhënë kontribut të çmuar në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe në veprimin politik e revolucionar të kohës.
Ai rikujtoi se Halili drejtoi organizatën revolucionare “Kushtrimi i Lirisë”, si dhe gazetën me të njëjtin emër, e cila shërbeu si organ i kësaj organizate dhe zë i rezistencës politike të asaj periudhe.
Sipas Ahmetit, si bashkëveprimtar dhe shok i Rexhep Malës dhe Gafurr Lokut, Rafi Halili i përkiste një brezi që e kuptoi se ndryshimi kërkon guxim, përkushtim dhe sakrificë, duke e shndërruar idealin kombëtar në veprim konkret politik.
“E kujtoj me respekt të veçantë jo vetëm Rafi Halilin, por edhe jetën dhe veprën e tij, të cilat mbeten pjesë e trashëgimisë sonë kolektive dhe frymëzim për brezat që vazhdojnë rrugën e angazhimit për dinjitet dhe barazi,” theksoi Ahmeti.
Ai e mbylli mesazhin me nderimin: “Lavdi jetës dhe veprës së tij.” (INA)





