Tatimi solidar i vitit 2023 – Shteti u detyrohet 49.2 milionë euro 156 kompanive

Kompanitë të cilat në periudhën post covid u detyruan të paguajnë tatim solidar, ende nuk kanë filluar t’i marrin të hollat e paguara pasi në shkurt të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese e anuloi ligjin e tatimit të solidaritetit.

Kompanitë që patën fituar më shumë se 615 milion denarë apo 10 milion euro gjatë vitit 2022, u detyruan të ndihmojnë shtetin për të zbutur pasojat nga kriza e pandemisë. Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëron se pagesa do të bëhet në afatet që kanë dakorduar paraprakisht me kompanitë.

“Ministria e Financave ka plan dhe ata do ta japin përgjigjen. Përndryshe për një pjesë të kompanive po ka filluar pagesa mendoj. Në mënyrë bilaterale silleshin planet dhe në mënyrë bilaterale përcaktohen prioritetet”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri Perëndimore, Nuhi Aliu në intervistë për Alsat tha se pagesat ende nuk kanë filluar dhe pret që pjesa e parë e borxhit të kthehet në muajin mars, ndërsa pjesa tjetër në mars të vitit 2027. Aliu paralajmëron takim edhe me drejtoreshën e Drejtorisë për të Ardhura Publike që të sqarojë atë se kush duhet në të vërtetë të paguajë tatim sepse siç sqaron, ligji nuk lejon pagesë të dyfishtë të tatimeve.

“Ne shumë shpejt duhet të mbajmë me drejtoreshën e DAP ku do të bisedojmë me argumente se si duhet të tejkalohet sepse revolta është e madhe. Të sillet një ligj dhe në mënyrë retroaktive të tatimohen të ardhurat ose të hyrat e firmës nuk është e lëvdueshme. E kanë paguar dy vjet e diçka e tani duhet të presin 3-4 vjet për ta kthyer që për biznesin krijohen telashe të reja, e dobëson likuiditetin e ndërmarrjeve të cilat kanë bërë pagesën e tatimit solidar. Për ta kthyer likuiditetin, duhet ta kthejnë tatimin”, tha Nuhi Aliu – Kryetar i OEMVP.

Borxhi nga tatimi solidar shënon gati 49,2 milion euro ndaj gjithsej 156 kompanive. Kompania që më së shumti pagoi tatim ishte kompania “Makstil” dhe atë 4,3 milion euro. Siç pati njoftuar së fundmi ministrja e financave Gordana Dimitrievska Koçoska, disa prej kompanive kanë hequr dorë nga kamata e borxhit por asnjë prej kompanive nuk ka hequr dorë nga borxhi kryesor./ Alsat.mk