Stuhia që bllokoi SHBA-në

Stuhia vdekjeprurëse, që solli ngrica shkatërruese në jug dhe borë të dendur në verilindje, më në fund filloi të largohej të hënën dhe për shumë banorë kjo ishte një dritë në fund të tunelit. Por, autoritetet kanë raportuar se 30 vdekje janë shkaktuar nga stuhia.

Mijëra amerikanë kanë mbetur ende pa energji elektrike ose ngrohje, dhe temperaturat parashikoheshin të bien shumë nën zero deri herët të martën në zonat ku stuhia e akullit shkaktoi dëmet më të mëdha.

Të hënën në mëngjes u raportuan mbi 800 mijë raste të ndërprerjes së energjisë elektrike në mbarë vendin, prej të cilave më shumë se 150 mijë në zonën Nashvillet, Tennessee. Rreth 140 mijë persona mbetën ende pa energji në Misisipi, i cili u godit rëndë dhe 115 mijë të tjerë në Louisiana të mbuluar nga akulli.

Pas një nate pa gjumë në Misisipi, Adrian Ronca-Hohn tha se të hënën u zgjua dhe pa diçka që dukej “si një zonë lufte”.

“Nuk kalonin as 10 sekonda pa dëgjuar diçka që tingëllonte si një e shtënë arme,” tha trajneri 23-vjeçar i futbollit, duke iu referuar pemëve dhe degëve që binin. “Dëgjoje një krismë të fortë, pastaj fishkëllimën e rënies dhe më pas përplasjen në tokë, ku dukej sikur shpërthente.”

Ndërsa temperaturat në të gjithë Jugun pritet të arrijnë nivelin më të ulët të kësaj jave herët të martën në mëngjes, njerëzit pa energji elektrike po përpiqen të mbijetojnë.

“Kemi shumë njerëz pa ngrohje, pa energji elektrike dhe pa ujë,” tha Ronca-Hohn. “Këtu ka shumë shtëpi të lëvizshme që nuk janë të izoluara mirë.”