Shkruan: Fitim NUHIU
Komunikacioni rrugor është një nga karakteristikat thelbësore të civilizimit bashkëkohor dhe paraqet një pjesë të sistemit të komunikacionit në tërësi i cili është faktor i rëndësishëm në zhvillimin e një shoqërie. Realisht, nëse dëshiron të njohësh kulturën e një vendi ose populli, shih si respektohen shenjat dhe rregullat e komunikacionit. Ky është një tregues i madh për një shoqëri.
Të premten që kaloi, në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u votua ligji për sistemin ‘Safe City’ – Qytet i Sigurtë, që përmes kamerave në qytete monitoron shpejtësinë dhe mbarëvajtjen e automjeteve dhe në bazë të saj vendos gjoba. Me 81 vota “për” dhe 19 “kundër” dhe pa të përmbajtur u votua Ligji për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për kundërvajtje, me procedurë të shkurtuar, gjë që me këtë rast u hap rruga që nga 1 shkurti të fillojë sistemi për regjistrim automatik dhe sanksionim të kundërvajtjeve “Qyteti i sigurt”, që ka për synim parandalimin, sigurinë e rritur në trafik dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, është prononcuar rreth votimit të Ligjit për Kundërvajtje, me të cilin mundësohet zbatimi i plotë i sistemit “Qytet i sigurt” nga 1 shkurti, duke theksuar se është një vendim që mbron drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
“Votimi i sotëm i Ligjit për Kundërvajtje është një konfirmim i qartë se kur ka guxim politik dhe përgjegjësi, mund të merren vendime që mbrojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Mirënjohje e sinqertë për të gjithë deputetët që mbështetën ligjin dhe treguan se siguria në trafik, mbrojtja e jetës njerëzore dhe interesi publik janë më të rëndësishme se politika ditore. Me këtë vendim, Parlamenti dërgoi një mesazh të fortë se shteti më në fund po ndërmerr hapa sistematikë kundër kaosit në trafik dhe humbjes së pakuptimtë të jetëve njerëzore. ‘Qyteti i sigurt’ nuk është një sistem për ndëshkim, por një sistem për shpëtimin e jetëve, ndërsa pikërisht qytetarët janë ata që e kuptuan të parët këtë”, theksoi ministri Toshkovski.
“As automjetet e huaja nuk do të përjashtohen nga regjistrimi i shkeljeve. Ne kemi vendosur rregulla dhe procedura se si do të konstatohet shkelja. Automjetet e huaja nuk mund të ndalohen të dalin nga Maqedonia, por do të informohen se nuk do të mund të hyjnë përsëri në Maqedoni nëse nuk e paguajnë gjobën. Këtë e kemi pasur parasysh dhe mendoj se kemi ofruar një përgjigje të përshtatshme,” – tha Toshkovski.
Ky ligj shihet të jetë i drejtë dhe gjithëpërfshirës kur ministri në fjalë gjithashtu deklaroi se në periudhën e fundit janë gjobitur tre ministra.
Të gjitha partitë janë deklaruar se në parim e mbështesin ligjin, por thonë se duhet të diskutohen disa çështje siç janë moscenimi i të dhënave personale apo lartësia e sanksioneve. Faza testuese e sistemit “Safe City” ka filluar në dhjetor të vitit 2025. Nga 1 dhjetori qytetarët kanë pranuar sms porosi për shkeljet që kanë bërë, por vetëm si paralajmërim. Tani me miratimin e ligjit nga 1 shkurti të gjitha sms porositë për shkeljet e konstatuara nga kamerat e “Safe City-t”, do të përmbajnë gjoba reale
.
Në diskutimet që pati në Kuvend, më i zëshëm ishte deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ku i reagoi ministrit Toshkovski, duke e akuzuar për moszbatim të Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në kuadër të projektit “Safe City”, si dhe për një qasje që, sipas tij, po e shndërron sigurinë rrugore në barrë financiare për qytetarët.
Reagimi i qytetarëve – mbikqyrje selektive…?!
Reagimet dhe pakënaqësitë e qytetarëve shqiptarë shpesh shkojnë në drejtim etnik, me pretendimin se sistemi është vendosur në qytete me shumicë shqiptare, gjë që nuk qëndron.
Diskutimet e zjarrta në rrjetet sociale kanë zënë një vend të madh që këto kamera janë vendosur vetëm nëpër zona më ‘problematike’, Shkup, Tetovë e Kumanovë.
Gostivari, Dibra, Kërçova dhe Struga (me shumicë shqiptare) nuk janë përfshirë në këtë sistem. Edhe qytete më të mëdha me shumicë maqedonase si Velesi, Manastiri, Strumica, Ohri, Prilepi nuk janë përfshirë.
Gazetari dhe aktivisti Bekim Laçi me të drejtë shprehet se: “Safe City është ligji më patriotik që është miratuar ndonjëherë në Maqedoni, edhe nëse trumbetohet se këto instalime kamerash janë bërë vetëm në zonat me shumicë shqiptare, do ta quaja një diskriminim pozitiv.”
Shumë qytetarë shprehen se ‘Safe City’ si koncept teknologjik mund të jetë i dobishëm për sigurinë në trafik, sikur këtij sistemi t’iu bashkangjitet edhe infrastruktura rrugore që të jetë më e sigurtë, më e mirëmbajtshme, në nivel evropian, që realisht të krijojë kushte të favorshme që të funksionojë ky projekt siç duhet. Por pa fazë tranzicioni, pa edukim publik, pa analiza sociale dhe pa përshtatje me standardin real të jetesës, ai rrezikon të shndërrohet nga mjet sigurie në mekanizëm presioni financiar ndaj qytetarëve.
Disa të tjerë shprehen se “Safe City” nuk është problem si sistem dhe ide. Problemi është te zbatimi, çështja e kohëzgjatjes, faza e tranzicionit dhe mungesa e infrastrukturës rrugore. Do të ishte ideale nëse synohet një qytet më i sigurt, të fillohet nga kushtet elementare si rregullimi i transportit publik. Transporti duhet të jetë alternativë e domosdoshme, sepse shumica e qytetarëve voziten me automjete private dhe mund që ky sistem me këto masa kufizuese të gjenerojë vetëm kaos dhe tollovi.
Megjithatë, mendojmë se ‘Safe City’ është zgjidhja aktuale dhe një hap serioz që të mund të edukojë detyrimisht shoferët në komunikacion, përndryshe me sjelljet që shohim çdo ditë në rrugët e ngarkuara, siguria e qytetarëve është në nivele shqetësuese. Çështja e sigurisë publike, e mbrojtjes së jetës së qytetarëve dhe e vendosjes së rendit në komunikacion është gjë me vlerë dhe e rëndësishme për një shoqëri, për sigurinë e tyre, sepse rrugët e sigurta janë përgjegjësi e përbashkët dhe interes i përgjithshëm shoqëror. Realisht, gjersa shoferët e pakujdesshëm kanë në vëmendjen e tyre se janë të mbikqyrur nga dora e shtetit, kjo gjë parandalon shumë parregullsi dhe pasoja, sepse natyra e lirë dhe pa mbikqyrje shpien drejt një anarkie e kaosi total. Derimëtani kemi parë shoferë të pakujdesshëm që kanë goditur dhjetëra këmbësorë dhe shumë prej tyre kanë humbur jetën ose si pasojë e lëndimeve dhe çdo mekanizëm që ul shpejtësinë dhe disiplinon shoferët është i mirëseardhur, sidomos në një shoqëri si e jona.
Tabelat paralajmëruese të sistemit ‘Safe City’ që paraqiten vetëm në gjuhën maqedonase janë një gjë e papranueshme që duhet përmirësuar urgjentisht. Përveç gjuhës shqipe, mungon edhe gjuha angleze, ndonëse bëhet fjalë për një sistem që prek drejtpërdrejtë të gjithë qytetarët dhe i njëjti zbatohet në një mjedis shumë-etnik dhe përdoret edhe nga vizitorë e shtetas të huaj, ky sistem u flet qytetarëve vetëm në maqedonisht, njësoj si sms porositë dhe e-mailet, që qytetarët i pranojnë vetëm në gjuhën maqedonase.
‘Safe City’ është një mjet i dobishëm për ngritjen e sigurisë rrugore dhe për uljen e numrit të aksidenteve, veçanërisht atyre me pasoja fatale. Ky sistem jo vetëm që duhet të përkrahet por edhe nevojitet që të jetë i shtrirë në të gjithë vendin, sidomos në rrugët më të frekuentuara, kryqëzime rrugësh, ku rreziku është real dhe i përditshëm.
Në fund, nëse do të jesh një qytetar i ndershëm dhe i përgjegjshëm që e do rendin në jetë:
Respekto rregullat dhe kufizimet e shpejtësisë në komunikacion dhe nuk do të kesh hallin e dënimeve, me apo pa ‘Safe City’.



