Aksidentet në vendin e punës mbeten një problem serioz në Maqedoni. Çdo vit mbi 200 punëtorë lëndohen, ndërsa më shumë se dhjetë humbin jetën. Në periudhën nga viti 2021 deri në fund të vitit 2025, numri i aksidenteve të regjistruara ka kaluar një mijë, çka thekson nevojën urgjente për standarde dhe kontrolle më të mira të sigurisë.
Vetëm gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë ndodhur 242 aksidente, prej të cilave 12 kanë përfunduar me fatalitet, duke treguar se problemi po përkeqësohet me kalimin e viteve.
Ivan Peshevski, kryetar i Sindikatës së Ndërtimtarisë, Industrisë dhe Projektimit (SGIP) dhe nënkryetar për sektorin privat në LSM, thekson se sektorët më të rrezikshëm janë ndërtimtaria dhe bujqësia, ku punëtorët janë më së shumti të ekspozuar ndaj rrezikut serioz.
Sipas tij, numri i punëtorëve të lënduar në ndërtimtari rritet nga viti në vit, ndërsa mesatarisht mbi 20 aksidente përfundojnë me vdekje çdo vit. Shkaqet kryesore të aksidenteve janë të shumta: pajisje personale mbrojtëse e papërshtatshme ose e munguar, makineri të pasigurta, mungesë kuadri të mjaftueshëm ose të kualifikuar dhe presion mbi punëtorin që të mos refuzojë punën edhe kur siguria e tij është e rrezikuar.
“Sindika e ndërtimtarisë, industrisë dhe projektimit pranë LSM-së shënon çdo vit një numër gjithnjë e më të madh të punëtorëve të lënduar. Gjatë viteve të fundit, aksidentet me përfundim fatal mesatarisht janë mbi 20 në vit, kryesisht në sektorët e ndërtimtarisë dhe bujqësisë. Miratimi i Ligjit të ri për siguri dhe shëndet në punë po shtyhet vazhdimisht. Deri kur? Deri pas miratimit të Ligjit për Marrëdhënie Pune. Edhe pse ekziston një lidhje e ngushtë mes legjislacionit të punës, sipas SGIP-së nuk duhet pritur më për një ligj të ri dhe të zbatueshëm për sigurinë dhe shëndetin në punë”, deklaron për “Fokus” Ivan Peshevski.
Përveç ndërtimtarisë, një numër i konsiderueshëm lëndimesh regjistrohen edhe në bujqësi, industrinë metalike, pylltari, komunikacion dhe transport. Sipas Peshevskit, një problem i madh është fakti se në dokumente zyrtare pothuajse nuk ka persona me sëmundje profesionale, ndërkohë që në praktikë numri i tyre po rritet.
Në rast të vdekjes në vendin e punës, familja e punëtorit të ndjerë merr vetëm 5.000 euro dëmshpërblim – një shumë që, sipas sindikatave, është poshtëruese dhe e pamjaftueshme.
“Përveç ndërtimtarisë, edhe punonjësit në bujqësi, industri metalike, pylltari, komunikacion dhe transport përballen me një numër të madh lëndimesh në punë. Një hendikep i madh është se gjithnjë e më pak kemi në letër persona me sëmundje profesionale, ndërsa në praktikë gjithnjë e më shumë. Në varësi të lëndimit, kompensimet që paguhen nga sigurimet janë qesharake, ndërsa për rikujtim, dëmshpërblimi për rast vdekjeje është 5.000 euro. Ja sa vlen një punëtor nëse humb jetën në vendin e tij të punës. Kushtet e këqija të punës, mungesa e stazhit të privilegjuar, pagat e ulëta dhe trajtimi i pabarabartë para gjykatave bënë që Maqedonia të mbetet pa kuadër të kualifikuar”, shton Peshevski.
Ikje masive e punëtorëve
Kushtet e këqija të punës, pagat e ulëta dhe trajtimi i pabarabartë i punëtorëve kanë çuar në një ikje masive të kuadrove të kualifikuara nga Maqedonia. Importi i punëtorëve të huaj nuk mund t’i zëvendësojë mjeshtrit dhe inxhinierët vendas, të cilët shpesh largohen pas vetëm disa pagash. Mungesa aktuale e mijëra punëtorëve të kualifikuar krijon rreziqe të mëdha në realizimin e projekteve infrastrukturore, veçanërisht në ndërtimtari dhe industrinë e materialeve ndërtimore.
“Punëtorët e importuar kurrë nuk do ta zëvendësojnë humbjen e punëtorëve dhe inxhinierëve tanë vendas. Edhe ata u larguan pas disa pagash nga punëdhënësit tanë. Nën një pikëpyetje të madhe janë realizimet e projekteve të ardhshme infrastrukturore, duke pasur parasysh mungesën e disa mijëra mjeshtrave vetëm në sektorin e ndërtimtarisë dhe industrinë e materialeve ndërtimore. Sot në ndërtimtarinë e ulët, paga mesatare sipas Entit Shtetëror të Statistikave është 39.238 denarë, ndërsa paga mesatare e përgjithshme ka kaluar 45.000 denarë”, shton Peshevski.
Ivan Peshevski thekson se pagat dinjitoze dhe kushtet e sigurta të punës janë parakusht për punëtorë produktivë dhe të mbrojtur.
“Përderisa siguria dhe shëndeti në punë konsiderohen si shpenzim për punëdhënësit dhe jo si investim, nuk mund të presim përparim apo punëtorë më të mbrojtur. Pagat dinjitoze dhe kushtet e sigurta të punës janë parakusht për punëtorë produktivë”, përfundon Peshevski.



