Kurti: Kosova s’e harron kurrë gjenocidin e kryer nga Serbia

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Kosova nuk e harron kurrë gjenocidin që Serbia e ka kryer.

Tek ka kujtuar viktimat e Masakrës së Rakovinës, Kurti ka thënë se kujtesa është për të mos lejuar që e vërteta të zbehet e që krimet të mbesin pa emër dhe përgjegjësi.

“Republika e Kosovës i kujton sot viktimat e Masakrës së Rakovinës dhe nuk i harron kurrë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë”, ka shkruar ai në Facebook të shtunën.

Më 24 janar janë bërë 27 vjet qëkur Serbia ekzekutoi pesë qytetarë që po lëviznin me një traktor dhe rimorkio në Rakovinë të Gjakovës. Nga forcat serbe ishin vrarë Besimi (12 vjeç), Haxhiu (11) dhe babai i tyre Shabani, si dhe çifti Hysen e Sanije Kurti nga Cërmjani.

“Sot, 27 vjet më pas, i kujtojmë këta fëmijë dhe këta qytetarë të pafajshëm me dhimbje të thellë dhe nderim të përhershëm. Kujtimi i Besimit dhe Haxhiut na rikujton dhunën serbe në Kosovë mbi trupat e fëmijëve, mbi familje të tëra, mbi jetë që nuk patën mundësi të mbroheshin. Kujtojmë për të mos lejuar që e vërteta të zbehet dhe që krimet të mbesin pa emër e pa përgjegjësi. Dhimbja e familjeve të tyre është plagë e shoqërisë sonë, ndërsa kujtesa jonë kolektive është zotim për drejtësi”, ka shtuar Kurti.