Artan Kastrati reagon: 18 euro në llogarinë time për 30 vite krijimtari, ndërsa ZAMP shpërndan 2.5 milionë € në vit me dallavere

Kompozitori dhe autori i njohur i këngëve, Artan Kastrati, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së shpërndarjes së mjeteve nga ZAMP – Maqedoni, institucioni që ka për detyrë mbrojtjen dhe pagesën e të drejtave të autorit për kompozitorët dhe muzikantët.

Sipas Kastratit, buxheti vjetor i ZAMP-it arrin në 2.427.816 euro, përkatësisht 149.310.026 denarë, ndërsa ai personalisht ka marrë vetëm 18 euro për një vit, pavarësisht se është anëtar i ZAMP-it prej 30 vitesh dhe autor i rreth 1000 këngëve.

“A është e drejtë që një kompozitor me 30 vite përvojë dhe mijëra këngë të marrë 18 euro në vit?”, pyet Kastrati, duke e cilësuar këtë si padrejtësi të rëndë dhe nënçmim të drejtpërdrejtë të autorëve që realisht kontribuojnë në skenën muzikore.

Ai akuzon se ndërkohë individë të caktuar, maqedonas dhe shqiptarë, të cilët i quan “dallaveraxhinj të sistemit”, përfitojnë deri në 100 mijë euro në vit nga i njëjti institucion, pa kritere të qarta dhe transparente.

“Kjo nuk është rastësi, por një skemë që po funksionon prej tri dekadash”, thekson Kastrati, duke shtuar se kjo gjendje ka dekurajuar dhe dëmtuar rëndë autorët e vërtetë të muzikës në vend.

Reagimi i tij vjen i shoqëruar edhe me dokumente që tregojnë buxhetin vjetor të ZAMP-it, duke ngritur pikëpyetje serioze për transparencën, drejtësinë dhe përgjegjësinë institucionale në shpërndarjen e mjeteve publike dhe kolektive.

Kastrati kërkon auditim të plotë, rishikim të kritereve të pagesës dhe trajtim dinjitoz për autorët që realisht e mbajnë gjallë muzikën, duke paralajmëruar se heshtja ndaj kësaj padrejtësie nuk është më opsion.