Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj F.B., i dyshuar për vrasjen e nënës në Dragash.
Ai ndodhet në ndalim 48 orësh dhe dyshohet për verpën penale “Vrasje e rëndë”.
“Sipas kërkesës së prokurorisë, i dyshuari F.B., më datë 20.01.2026, në fshatin Restelicë- Komuna e Dragashit, në shtëpinë e tij familjare ku jetonte së bashku me viktimën, me dashje privon nga jeta nënën e tij, viktimën T.B., në atë mënyrë që fillimisht e godet me grushte në pjesë të ndryshme të trupit dhe më pas e shtrëngon për fyti me duar, me ç’rast viktima nga lëndimet e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes. Me këto veprime, i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Të mërkurën drejtori i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Faton Alija, ka thënë se në shtëpinë ku ka ndodhur ngjarja nuk janë gjetur mjete të forta apo armë, por te viktima janë hasur lëndime trupore.
“Dyshimet janë që me ndonjë konfrontim me duar të thata ka ardhur deri te lëndimet me pasoja – vdekjen. Vlen të theksohet se familja është katër anëtaresh, por në momentin kritik kur ka ndodhur ngjarja apo incidenti në familje ka qenë vetëm viktima apo nëna dhe djali”, ka deklaruar Alija.
Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se i dyshuari ka qenë tri herë i dënuar me kusht. Në dy raste për veprën penale lëndim i lehtë trupor dhe në një për dhunë në familje.



