Është liruar Hazir Haziri, i arrestuar nga autoritetet e Serbisë në shtator të vitit të kaluar në pikën kufitare në Merdarë.
Këtë e ka konfirmuar avokati Arianit Koci.
Koci ka thënë se lirimi i Hazirit e konfirmon se arrestimi ka qenë i pabazuar dhe i ngritur mbi pretendime të pambështetura në fakte.
77-vjeçari Hazir Haziri nga Podujeva, ishte arrestuar gjatë hyrjes së tij në territorin serb me automjet privat, më 8 shtator 2025 nën dyshimet për “krime lufte”.
“Rasti nënvizon domosdoshmërinë që qytetarët e Kosovës të kenë mbështetje të menjëhershme juridike sa herë që përballen me ndalime të padrejta jashtë vendit”, ka shkruar Koci.
Nga qershori 2025 deri në dhjetor 2025, Serbia ka arrestuar 8 qytetarë shqiptarë të Kosovës.
Cak i arrestimeve kanë qenë kryesisht tri kategori: ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare, pjesëtarët e organeve të sigurisë së Kosovës si policë e ushtarë të FSK-së, si dhe qytetarë serbë të cilët Beogradi i konsideron bashkëpunëtorë të institucioneve të Kosovës.



