Edi Rama i jep burrit të Alketa Vejsiut leje për të ndërtuar resort në Dhërmi

Kryeministri Edi Rama ka firmosur një tjetër leje për bashkëshortin e moderatores Alketa Vejsiu, pavarësisht se opozita e ka akuzuar disa herë, për ndërtimin e një pallati të familjes së Linda Ramës, për botokse apo edhe për tenderat që i jep qeveria kompanisë “Orion”.

Kësaj herë, leja është e stërmadhe, për ndërtimin e një super resorti në zonën e Gjilekës, në Dhërmi, buzë detin Jon, në një nga zonat më elitare të rivierës shqiptare, e cila po “kafshohet” rëndshëm vitet e fundit.

Kompania “Orion” ka si pronar Ardian (97.20%) dhe Niazi Nelon (2.80 %), teksa tashmë do t’a shtrijë aktivitetin në Jug, në një sipërfaqe prej 140 mijë metra katrorësh. Natyrisht, pas dhënies së kësaj leje, ngrihen shumë pyetje; ku e gjeti gjithë këtë sipërfaqe Ardian Nelo, bashkëshorti i Alketa Vejsiut? Zona është në breg të detit, ku në shumë raste ka pasur edhe konflikte pronësie. Kush i sheshoi të gjitha këto probleme?

Por më skandalozja është se, ashtu si me gjithë ndërtimet në breg të detit, edhe në projektin e “Orion” do të ketë rezidenca, vila apo apartamente private, teksa e bën këtë kompleks vetëm për më të pasurit, duke kanalizuar pasurinë dhe paratë në “një dorë”. Sipas dokumenteve që ka siguruar ekskluzivisht VoxNews, në të gjithë sipërfaqen prej 14 hektarësh do të ndërtohen gjithashtu edhe pallate, hotele apo restorante apo dyqane.

 

Faksimile: Vendimi i KKTU-së për miratimin e lejes së zhvillimit për kompleksin turistik në Dhërmi

Në datën 25 shtator 2025, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit miratoi rishikimin e kushteve të lejes së zhvillimit për objektin “kompleks turistik, rezidencial, hoteleri dhe shërbime 1, 2 dhe 3 kate mbi tokë dhe 1, 2, 3 kate nëntokë’ me vendndodhje në Perivolo, Gjilek, Dhërmi, Bashkia Himarë. Kjo leje është firmosur vetëm në datën 31 dhjetor 2025, ndërkohë që ditët e fundit është zbardhur nga Agjencia e Zhvillimit të Tërritorit.

Sipas dokumenteve, harta e planvendosjes ka pësuar ndryshime nga projekti fillestar i muajit korrik 2024, ndërkohë që ashtu si me projektet e tjera, janë shtuar objekte dhe godina të reja. E gjithë sipërfaqja ka shkuar në plot 140 mijë metra katrorë, ndërkohë që ndërtimet janë në disa faza.

Faksimile: Prona e stërmadhe ndodhet në zonën e Dhërmiut, buzë detit Jon

Në dokumente shkruhet se pozita gjeografike është mjaft strategjike që ofron mundësi zhvillimi dhe integrimi me pjesën Rivierës Shqiptare, është ndër atraksionet turistike më të spikatura të Shqipërisë. Zona është e pozicionuar në bregdetin e jugut, në Dhërmi, me një afërsi me rrugën e re nacionale Dhërmi – Palasë, pjesë e bashkisë Himarë dhe ka një dalje të gjerë në bregdetin e tipit të lartë shkëmbor të detit Jon.

Edi Rama i jep burrit të Alketa Vejsiut leje për të ndërtuar

Faksimile: Harta e zonës që do të ndërtohet kompleksi i stërmadh i firmës Orion

Në dokumentet që ka hulumtuar VoxNews detajohet se zona e përzgjedhur ka një sipërfaqe prej 140’898 m². “Në zonë nuk ka ndërtime me karakter historik dhe kulturor të tipologjive tipike të banesës së tipit kullë të jugut apo banesës tipike të Dhërmiut. Në të ndodhen atraksione të shumta natyrore dhe kulturore, larmishmëri bimore dhe shtazore dhe mundëson kushte të favorshme për zhvillim”, thuhet në dokumente.

Sipas saj, prona ka një dalje të gjerë në detin Jon, me një bregdet të thyer dhe mjaft të larmishëm. “Vlen të përmendet larmishmeria e botës bimore dhe shtazore nënujore dhe tokësore, peisazhi natyror dhe trashëgimia kulturore e historike e zonës”, shkruhet rëndom në dokumente, ku pikërisht kjo larmishmëri do të shkatërrohet në momentin e ndërtimit të të gjithë resortit.

Në dokument shkruhet se në gjendjen e saj ekzistuese, zona shoqërohet dhe me disa problematika siç janë ndërtimet e pakontrolluara në bregdet, kullotja e bagëtive, specie invasive, zjarret etj. Normalisht, për ndërtimet e pakontrolluara duhet të ketë menduar edhe IKMT-ja apo IMT-ja, të cilat çojnë ruspat sa herë që qeveria jep leje për betonimin e një sipërfaqe të stërmadhe. Mjetet e rënda prishin ndërtimet me dru dhe në vend të tyre do derdhet një masiv i madh betoni.

Edi Rama i jep burrit të Alketa Vejsiut leje për të ndërtuar
Edi Rama i jep burrit të Alketa Vejsiut leje për të ndërtuar

Faksimile: Dokumentet shoqëruese të lejes, ku do të ndërtohen rezidenca, vila, pallate…

Në dokumentet që ka zbardhur AZHT-ja shkruhet se kompleksi turistik do të përmbajë objekte me tipologji të ndryshme. Zona e parë do të jetë me vila dhe apartamente. Do të ndërtohen qindra vila të tipeve të ndryshme.

Edi Rama i jep burrit të Alketa Vejsiut leje për të ndërtuar


Faksimile: Në zonë do të ndërtohet edhe një hotel, sipas maketit më sipër

Projekti i kompleksit parashikon edhe zhvillimin e një hoteli luksoz në Dhërmi, i cili është parashikuar të jetë një resort premier me 5 yje, që harmonizohet me peizazhin natyror mahnitës të bregdetit Jon dhe maleve përreth. “Ky destinacion i nivelit të lartë do të ofrojë përvoja ekskluzive dhe gjithëpërfshirëse, që shfaqin trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë, mikpritjen e saj të ngrohtë dhe mjedisin mbresëlënës”, thuhet në dokumente.

Sipas saj, dizajni do të ndërthurë gurin lokal, drurin dhe materiale të qëndrueshme për të krijuar një ambient të rafinuar, por të ngrohtë. “Hapësirat e mëdha do të lejojnë dritën natyrore të përshkojë ambientet, duke theksuar lidhjen e pandërprerë mes brendësisë dhe natyrës përreth. Dizajni do të përfshijë elementë që nxisin relaksin dhe mirëqenien, siç janë oxhakët për qëndrime të këndshme dimërore, tarracat për darka në ambient të hapur dhe ambientet e spa-së që ofrojnë rigjenerim gjatë gjithë vitit. E gjithë atmosfera do të karakterizohet nga një luks i përmbajtur, ku eleganca takon autenticitetin dhe mysafirët ndjejnë një ndjesi të thellë përkatësie dhe shkëputjeje nga përditshmëria”, vijon dokumenti.

Faksimile: Kompania Orion ka si pronar Ardian Nelon, bashkëshortin e moderatores Alketa Vejsiu

VoxNews shfletoi dokumente nga Qendra Kombëtare e Biznesit ku rezulton se kompania “Orion” ka si pronar Ardian Nelon me 97.20% dhe Niazi Nelon me 2.80 %. Në vitin 2025 kjo kompani ka publikuar bilancet e fitimit të një viti më parë, ku rezulton se fitimi neto në atë vit ka qenë 68,460,237 lekë.