Shoqata e Gjykatësve kërkon hetim të thellë për gjykatësin Gjoko Ristov

Shoqata e Gjykatësve të Republikës së Maqedonisë së Veriut njoftoi se po i ndjek me vëmendje zhvillimet lidhur me rastin e gjykatësit të Apelit Gjoko Ristovit, duke shprehur njëkohësisht mbështetje për institucionet kompetente në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, transmeton Portalb.mk

Nga Shoqata presin që hetimi të zhvillohet në mënyrë të thellë, të saktë dhe pa selektivitet, me respekt të plotë të procedurave ligjore dhe me përcaktimin e të gjitha fakteve dhe rrethanave relevante. 

“Në rast të dëshmimit të korrupsionit, Shoqata e Gjyqtarëve distancohet qartë dhe pa mëdyshje nga çdo gjykatës apo bartës i funksionit gjyqësor i korruptuar, i cili me veprimet e tij të paligjshme e cenon reputacionin dhe integritetin e sistemit gjyqësor”, thuhet në komunikatë. 

Njëkohësisht, Shoqata apelon që të mos bëhen përgjithësime që e minojnë më tej besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, duke theksuar se gjyqtarët e ndershëm dhe profesionalë përbëjnë shumicën dërrmuese në gjyqësor. 

Konologjia e ngjarjes 

Më 18 janar, u realizua bastisje në shtëpinë në Negotinëtë  prindërve të gjykatësit të Apelit në Shkup, Gjoko Ristov, ku në murin e kuzhinës u gjetën 350 mijë euro.  

Më 20 janar, Ministria e Punëve të Brendshme ngriti kallëzim penal kundër gjykatësit të Apelit Gjoko Ristov për “përfitim të kundërligjshëm dhe fshehje të pasurisë” dhe “pastrim parash dhe të ardhurash tjera nga vepra penale”. 

Më 21 janar,  Prokuroria Publike kërkoi arrest shtëpiak për Ristovin si dhe masa të kujdesit, konfiskimin e përkohshëm të pasaportës ose ndonjë dokumenti tjetër për kalimin e kufirit. 

Po të njëjtën ditë, më 21 janar, Gjykata Penale reagoi menjëherë për gjykatësin me imunitet i cili njoftoi Këshillin Gjyqësor, të cilët ia hoqën imunitetin gjykatësit. 

Avokati i gjykatësit ka deklaruar se paratë janë të prindërve të Ristovit.

 

Bastisje edhe në shtëpinë e gjykatësit

Përveç bastisjes në shtëpinë e prindërve të tij, SDK raportoi se para dy javëve është bastisur edhe banesa e Ristovit në Shkup, po nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Para një jave, ai u ka thënë kolegëve në Gjykatën e Apelit Shkup se ishte i sëmurë dhe se do të shkonte në pushim mjekësor. Që atëherë, kolegët nuk e kanë parë. Ndërkaq, telefonin mobil ka ndaluar ta përdorë që para rreth një muaji e disa ditësh.

Me çfarë lidhet bastisja?

Bastisja lidhet me rastin në të cilin ndiqet penalisht ish avokati shtetëror Fehmi Stafa, i cili ndodhet në paraburgim pasi po hetohet për marrje ryshfeti prej 50,000 eurove për të ndërmjetësuar dhe ndikuar te një gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Shkupit në lidhje me një çështje që po zhvillohej kundër klientit të tij.

Fehmi Stafa është ish-Avokat i Shtetit i Maqedonisë. Bashkëshortja e Ristovit ishte kolege e tij dhe punon në Avokaturën e Shtetit. Sipas hetimit të 14 dhjetorit, Stafa i ka dhënë ryshfet Ristovit në emër të biznesmenit të akuzuar Ljupço Pecov, i njohur si “Djalli”, i cili deri së fundmi ishte në arrati.

Gjoko Ristov, kur në shkurt 2020 u zgjodh gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Shkupit, ku trajton çështje penale në deklaratën e pasurisë personale kishte deklaruar apartament prej 70 metrash katrorë në Shkup, një automjet “Volkswagen Passat” të vjetër rreth një dekade dhe një kredi prej 1.5 milion denarësh që duhet të kthehet deri në 2038.