Ndarja e Ballkanit mes Europës dhe SHBA! Eksperti zbulon shtetet që rrezikojnë

Në një lidhje live për Euronews Albania, eksperti Sadri Ramabaja komentoi ndikimin e Rusisë në Ballkan, duke theksuar se ndërsa Perëndimi, veçanërisht SHBA, synon të ruajë prezencën strategjike në Kosovë dhe Mal të Zi dhe Moska përpiqet të forcojë kontrollin e saj mbi Serbinë dhe Republikën Srpska.

Sipas tij, me aktin e sigurisë së SHBA-së insistohet që të jetë prezente edhe Amerika, madje duke e konsideruar Kosovën epiqendër të interesit të saj.

“Para pushtimit të Krimesë ishin ndërmarrë veprime që do të çonin në ndarjen e Kosovës, për të krijuar një alibi, një dalje nga kriza dhe për përmbylljen e procesit të zgjerimit të Rusisë.Në konferencën e Jalltës, pozicioni pro-rus ishte pa dyshim i përcaktuar, do të mbetej Bullgaria dhe Jugosllavia, jo si e tërë, por me një marrëveshje të veçantë. Megjithatë, Rusia ishte ajo që kishte dominuar në planin ushtarak dhe të sigurisë. Ndërkohë, në planin politik dhe ekonomik ishte Perëndimi më shumë prezent. Në rastin konkret, për pozicionin e interesave ruse, nuk bëhet fjalë për Ballkanin, por për Ukrainën, dhe interesimi i Rusisë për t’u pozicionuar në Ballkan, domethënë në Serbi, do të kishte predispozita për të qenë humbëse në Ukrainë. Në këtë kuadër, dhe ndoshta në raport me interesat afatgjata shqiptare, prezenca e Rusisë në Beograd nuk na shqetëson. Rusia e ka Serbinë nën kontroll dhe do ta mbajë nën kontroll edhe Republikën Srpska, dhe fare lehtë edhe Republika Srpska mund të hyjë në shkëmbim me territoret e veçanta ukrainase. Ballkani është zonë interesi perëndimor, ndërkaq me aktin e sigurisë së SHBA-së insistohet që të jetë prezent edhe Amerika, madje duke e konsideruar Kosovën epiqendër të interesit të saj. Në këtë kuadër, Rusia do të përpiqet të jetë aty ku është në Serbi dhe në Republikën Srpska. Gjithsesi, do të interesohet të rikthejë këtë fushë veprimi edhe në Malin e Zi. Në një mënyrë ose në një tjetër, zonat e interesit rus mbeten gjithsesi të rëndësishme, nëse Rusia ndahet e kënaqur, duke e bashkuar Serbinë dhe duke rrumbullakosur prezencën afatgjatë në Serbi. Ndërkaq, duke tentuar të dalë në Adriatik përmes Malit të Zi, përballja me Perëndimin do të ishte edhe më e ashpër”, u shpreh eksperti.