Macron refuzoi Bordin e Paqes, Trump: Do të vendos tarifë 200 për qind mbi verërat dhe shampanjat e tij

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do të vendosë një tarifë prej 200% mbi verërat dhe shampanjat franceze, duke pretenduar se kjo do ta detyrojë presidentin francez, Emmanuel Macron, të bashkohet me iniciativën e tij “Bordi i Paqes” për zgjidhjen e konflikteve globale.

Trump iu përgjigj gazetarëve se, nëse Macron refuzon, “asnjë nuk e do sepse shumë shpejt nuk do të jetë më në detyrë”.

“Do të vendos tarifë 200 për qind mbi verërat dhe shampanjat e tij, dhe ai do të bashkohet, por nuk është e detyrueshme”, tha Trump.

Franca ka deklaruar se në këtë fazë nuk do të pranojë ftesën për t’u bërë pjesë e iniciativës, sipas një burimi pranë Macron. Trump kishte propozuar për herë të parë krijimin e Bordit të Paqes në shtator të vitit të kaluar, si pjesë e planit të tij për të ndaluar luftën në Gaza, por ftesa e fundit drejtuar liderëve botërorë parashikon një rol më të gjerë për zgjidhjen e konflikteve globalisht.

Dokumenti i administratës amerikane, dërguar rreth 60 vendeve, parashikon se anëtarët duhet të kontribuojnë 1 miliard dollarë nëse duan të qëndrojnë pjesë e bordit për më shumë se tre vjet. Ndërkohë, Trump ka ftuar edhe presidentin rus Vladimir Putin të bëhet pjesë e këtij bordi, duke thënë se “është ftuar”.