Shkruan: Blerim Shala
Kështu është për çdo vit, me 15 janar.
Kështu është tash e 26 vjet, që prej se në vitin 2000 për herë të parë u shënua përvjetori i masakrës së Reçakut.
Të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave rrëfejnë sërish çfarë ka ndodhur atë ditë të vitit të dytë të luftës në Kosovë.
Ambasadori William Walker, i cili që prej të shtunës së 16 janarit, kur si Shef i Misionit verifikues të OSBE-së (KVM), qëndroi në vendin e krimit të madh, u bë zëdhënës i të vërtetës së rëndë, i bashkohet qytetarëve në ceremonitë e përvitshme. Të shumtë janë ata që duan të bëjnë foto me te.
E dimë të gjithë që diplomati amerikan me qëndrimin e tij hapi udhë për ndërmarrjen e madhe diplomatike perëndimore e cila kulmoi me Konferencën e Rambouillet dhe me fushatën ajrore të Aleancës Veri-Atlantike.
Këto pastaj nisën një histori që do të njeh çlirimin e Kosovës, në qershorin e vitit 1999 dhe bërjen e shtetit të Kosovës, në shkurtin e vitit 2008.
Më në fund, si çdo 15 janar pra, edhe kësaj herë liderët institucional dhe politik të vendit i bashkohen dhimbjes së banorëve të këtij fshati që bën pjesë në atë hartën rrugore të krimeve të pushtetit të Serbisë në vitet e luftës, për të përsëritur që drejtësia për viktimat e kësaj masakre duhet të përmbushet.
U bënë pra 27 vjet të plota nga Reçaku i 15 janarit të vitit 1999, Bota është rrotulluar shumë herë politikisht, por ne kemi mbetur të njëjtë në relacionin tonë me këtë ditë dhe me këtë krim, sepse historia e luftës ende nuk është arkivuar, ende nuk ka marrë atë trajtën konkluduese, finale.
Paramendoni tash këtë pamje, e cila në rrethanat e tanishme në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë është e barabartë me fantastikën shkencore. Por, kjo tablo herët a vonë duhet të ndodhë nëse njëmend këndejpari, në këto anë të Evropës, duam paqe dhe stabilitet afatgjatë.
Ja si do të mund të dukej ky rrëfim.
Presidentët e Kosovës dhe të Serbisë u bënë bashkë në këtë 15 janar, për të vizituar kompleksin memorial të Reçakut.
Ata së bashku vunë kurora në këto varreza.
Presidenti i Serbisë edhe një herë (siç ka bërë tashmë në disa raste), kërkoi falje për krimet që pushteti i atëhershëm i Serbisë i bëri këtu, në këtë vend dhe në mbarë Kosovën. Ky u përul para varrezave dhe madje, ra në gjunjë.
Ai pastaj përsëriti që krimet e këtilla nuk mund të harrohen dot, por Kosova dhe Serbia, si dy shtete të pavarura, duke e kujtuar gjithmonë kapitullin e hidhur të luftës në Kosovë, do të duhet të bashkëpunojnë në të gjitha sferat e mundshme, për të promovuar pajtimin midis dy popujve, veçmas në perspektivën e anëtarësimit të dy shteteve në Bashkimin Evropian.
Presidenti i Kosovës theksoi në vazhdim që teksa historia tragjike ka ndarë dy vende një herë e mirë, ardhmënia e përbashkët në BE, si dhe vlerat që Kosova dhe Serbia ndajnë, si dy shtete evropiane dhe perëndimore, përbën orientimin e palëkundur të dy shteteve dhe të dy popujve, të cilët tashmë i kanë normalizuar plotësisht marrëdhëniet në mes tyre.
Kosova dhe Serbia tash e sa kohë kanë fqinjësi të mirë.
Fundi i këtij rrëfimi.
Bota është sot në rrëmujë. Këtë e kemi të qartë të gjithë. Nuk ka kush që mund të parasheh se çfarë do të mund të ndodhë tash e tutje, madje edhe në marrëdhëniet e shteteve mikë në krahun perëndimor të qytetërimit. Dihet pse.
Raportet e Kosovës dhe Serbisë janë shumë larg atyre synimeve evropiane dhe amerikane për normalizimin e tyre.
Megjithatë, normalizimi i marrëdhënieve duhet të ndodhë. Dhe rruga për te, gjithsesi kalon edhe përmes Reçakut. Nuk ka tjetër.



