QUO VADIS, INTELEKTUALË KUMANOVARË?

Shkruan: Ahmet Asani

▪︎ Kumanova është një ndër qytetet shqiptare ku intelektualët, ndonëse të shumtë në numër dhe të formuar në fusha të ndryshme shkencore, kulturore e profesionale, sot nuk kanë asnjë hapësirë të përhershme – klub apo qendër kulturore – ku mund të mblidhen, të ballafaqojnë ide, të debatojnë për çështje shoqërore, kulturore e kombëtare dhe të ushtrojnë rolin e tyre publik si ndërgjegje kritike e qytetit.

▪︎ Kjo situatë bëhet edhe më paradoksale kur dihet fakti se Kumanova, qysh në vitin 1908, kishte klubin e vet shqiptar, ku intelektualë, veprimtarë dhe atdhetarë mblidheshin dhe debatonin për gjuhën shqipe, arsimin, identitetin dhe të ardhmen kombëtare – në një kohë kur në këtë qytet vepronin rilindas të shquar, si mësuesi i parë shqiptar Jashar Erebara!

▪︎ Sot, pas më shumë se një shekulli, në këtë qytet me qindra shqiptarë të diplomuar si mësues, profesorë, inxhinierë, mjekë, doktorë shkencash, shkrimtarë, artistë dhe specialistë të profileve të ndryshme, mungesa e një adrese vendtakimi nuk mund të shpjegohet as me mungesë mjetesh, as me rrethana objektive.

▪︎ Le të shërbejë ky tekst si apel publik për ndryshimin e kësaj gjendjeje, e cila dëshmon për një shpërbërje të rolit publik të intelektualit dhe për një tërheqje të tij nga përgjegjësia qytetare, sepse qytetet nuk varfërohen kur u mungojnë paratë, por kur u mungon mendimi i lirë dhe guximi intelektual.