Kurti bisedon me ndërkombëtarët për zbatimin e ligjeve për automjetet dhe të huajt

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, janë takuar me diplomatët e akredituar në Kosovë, të cilët i kanë informuar për zbatimin e Ligjit për të huajt dhe atë për trafikun.

Nga sot, në Kosovë kanë hyrë në fuqi këto dy ligje dhe autoritetet kanë thënë se zbatimit do t’i paraprijë një afat informues deri më 15 mars.

Zbatimi i plotë i këtyre dy ligjeve do të prekë komunitetin serb që jeton në Kosovë, i cili deri më tani ka drejtuar automjete me targa të qyteteve në Serbi, me autorizim, ose persona që nuk kanë dokumente kosovare.

“Kjo fazë do të zgjasë deri më datën 15 mars të këtij viti, kur fillon zbatimi i plotë. Zbatimi i Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet synon lehtësimin e qëndrimit të shtetasve jorezidentë në Kosovë”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kurtit.

Kurti, sipas njoftimit, i informoi përfaqësuesit ndërkombëtar mbi “domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate”.

“Kryeministri tha se ky proces integrues do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe duke siguruar që brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë merren në konsideratë”, u tha në njoftim.

Në Mitrovicë të Veriut funksionon një universitet që punon brenda sistemit të Serbisë, ku studiojnë ose punojnë shtetas të Serbisë. Po ashtu, punonjës nga Serbia ka edhe në institucionet shëndetësore në mjediset me shumicë serbe dhe në disa institucione kulturore.

Autoritetet e Kosovës nuk i njohin këto organe serbe dhe kanë mbyllur shumicën e tyre, përveç institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë.

Të punësuarit në këto institucione, veçanërisht profesorët dhe studentët në Universitetin në Mitrovicën e Veriut, mund të përballen me probleme sapo të nisë zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt, pasi ai parashikon posedimin e një leje pune ose licence për ushtrimin e veprimtarisë, për të cilën kërkesa paraqitet pranë Agjencisë së Punësimit të Kosovës.

Në praktikë, kjo do të thotë se institucionet arsimore dhe shëndetësore të sistemit serb do të duhet të pajisen me licenca nga institucionet e Kosovës.

Për qëllime studimi, bashkimi familjar, arsye humanitare, kërkime shkencore dhe rrethana të tjera të parashikuara me ligj, është e nevojshme të posedojë një leje të përkohshme qëndrimi dhe të plotësohen kushtet e tjera të përcaktuara me ligj, në varësi të qëllimit të qëndrimit.

Deri më tani, rregullimi i sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit është përmendur në kuadër të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin Kosova dhe Serbia janë marrë vesh që në vitin 2013. Ky Asociacion, ndër të tjera, ishte paraparë të rregullonte funksionimin e institucioneve serbe, si dhe pagat dhe financimin e tyre nga buxheti i Serbisë.

Kosova dhe Serbia, edhe në vitin 2023, e kanë pranuar në parim Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, e cila, ndër të tjera, parashikon formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, respektivisht ofrimin e një niveli të caktuar të vetëmenaxhimit për komunitetin serb.

Një ditë më parë, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se deklaratat për integrimin e sistemit të arsmit dhe shëndetësisë shihen si “kërcënuese” dhe mund të vënë në rrezik dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova publikon rregullat dhe ndëshkimet për shtetasit e huaj dhe për rregullat në trafik

Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar dokumente udhëzuese për Ligjin për të huajt dhe të për automjete, pas hyrjes në fuqi të këtyre dy ligjeve.

Sipas dokumentit udhëzues lidhur me Ligjin për të huajt, shtetasit e huaj fillimisht duhet të kenë dokumente udhëtimi të vlefshme, ose vizë kur kërkohet, dhe të lajmërojnë adresën e qëndrimit brenda tri ditësh në stacionin më të afërt policor.

Nëse një i huaj synon të qëndrojë në Kosovë në periudhë afatshkurtër, ai mund ta bëjë këtë deri në 90 ditë dhe gjatë kësaj periudhe nuk i lejohet të punojë pa pasur leje pune. Nëse kalohet kjo periudhë, i huaji duhet të aplikojë për leje qëndrim.

Nëse një i huaj qëndron në Kosovë me qëllim të punës, atëherë ai duhet të ketë leje të përkohshme për punë, po ashtu kërkohet licencim paraprak në rast të aplikimit për leje pune për profesionin që kërkon licencë. Rregullat parashohin ndalim të punës, nëse një shtetas i huaj nuk ka leje për të.

Ndërkaq në rast të qëndrimit për arsye të tjera, sikurse studimi, kërkohet pajisja me leje qëndrim.

Në rast se nuk respektohen këto rregulla, atëherë autoritetet mund të aplikojnë masa që mund të përfshijnë anulimin e lejes së qëndrimit, shqiptimin e gjobave, largimin nga vendi dhe ndalimin në territorin e Kosovës.

“Zbatimi i plotë fillon nga data 15 mars 2026. Çdo hyrje pas kësaj date që rezulton me mosparaqitje sipas rregullave të listuara brenda këtij udhëzuesi, do rezultojë me ndalim hyrje në Republikën e Kosovës”, tha MPB-ja.

Ndërkaq, në dokumentin udhëzues sa i përket Ligjit për automjetet, thuhet se një makinë e regjistruar në vend të huaj dhe që është në pronësi të një shtetasi të huaj, mund të qarkullojë në Kosovë deri në tre muaj.

Sipas rregullave, një automjet i regjistruar jashtë Kosovës nuk mund të drejtohet nga një shtetas i Kosovës pa praninë e pronarit e as të autorizohet që të qarkullojë më Kosovë.

Rregullat parashohin se një shtetas i huaj që ka qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë apo një shtetas i Kosovës që kthehet nga shtetet e huaja, mund ta drejtojë një automjet me patentë shoferë të huaj të vlefshëm deri në 1 vit nga dita e hyrjes në Kosovë.

Në rast se nuk respektohen rregullat,, MPB tha se do të merren masa në përputhje me legjislacionin në fuqi./rel