Gjysmë vjetori i dytë në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në gjithë territorin e vendit do të fillojë më 20 janar, konfirmoi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, transmeton Portalb.mk.
“Dje kishim deklaratë nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga Instituti i Shëndetit Publik se nuk do të ketë pengesa për fillimin e vitit të ri shkollor. Apeloj te prindërit dhe te nxënësit që të jenë të rregullt në shkollë dhe të mungojnë sa më pak, sepse të gjitha hulumtimet, si në Maqedoni ashtu edhe në mbarë botën, tregojnë se nxënësit që ndjekin rregullisht mësimin arrijnë rezultate më të mira”, tha Janevska.
Dje, Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se, pavarësisht rritjes së numrit të të sëmurëve me grip, gjë që është e pritshme për këtë periudhë, nuk do të ketë zgjatje të pushimit dimëror për nxënësit.



