Takim Sali – OEMVP: Qeveria e përkushtuar për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe zhvillim afatgjatë

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP), të udhëhequr nga kryetari Nuhi Aliu, ku në fokus kanë qenë sfidat aktuale dhe mundësitë për zhvillimin ekonomik të vendit.

Sali theksoi se realizimi i investimeve publike po krijon kushte më të favorshme për rritjen ekonomike dhe përmirësimin e klimës së investimeve.

“Me realizimin e investimeve publike, ekonomia jonë po hyn me siguri në një fazë të re zhvillimi dhe klima e investimeve po bëhet gjithnjë e më e favorshme”, deklaroi ai.

Sipas zëvendëskryeministrit të parë, Qeveria mbetet e përkushtuar për të krijuar stabilitet dhe perspektivë afatgjatë për sektorin e biznesit dhe për qytetarët.

“Qeveria është e përkushtuar dhe po punon me vendosmëri për të garantuar rritje ekonomike të qëndrueshme dhe perspektivë të sigurt për bizneset dhe qytetarët”, theksoi Sali.

Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit, si një parakusht për politika ekonomike më efikase dhe zhvillim të qëndrueshëm.