Ministria daneze e Mbrojtjes njoftoi se në Grenlandë do të zhvillohet një stërvitje ushtarake, në kuadër të së cilës do të dislokohen menjëherë avionë, mjete detare dhe ushtarë. Gjermania, Suedia, Franca dhe Norvegjia kanë konfirmuar tashmë se, me kërkesë të Danimarkës, po dërgojnë trupa në Grenlandë në kuadër të operacionit “Qëndrueshmëria Arktike”.
Pas përpjekjeve gjithnjë e më të theksuara të presidentit amerikan Donald Trump për marrjen e Grenlandës, e cila është territor autonom danez, Danimarka njoftoi se po e forcon praninë ushtarake në ishull së bashku me aleatët e saj.
“Siguria e Arktikut është me rëndësi kyçe për Mbretërinë dhe aleatët tanë arktikë, prandaj është e rëndësishme që në bashkëpunim të ngushtë me aleatët të forcojmë më tej aftësinë tonë për të vepruar në rajon. Forcat e armatosura daneze, së bashku me disa aleatë arktikë dhe evropianë, në javët në vijim do të shqyrtojnë se si mund të zbatohet një prani dhe aktivitet stërvitor i shtuar në Arktik”, deklaroi ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen.
Nga Ministria daneze e Mbrojtjes u bë e ditur se, në kuadër të stërvitjeve ushtarake, në Grenlandë do të dislokohen menjëherë avionë, mjete detare dhe trupa tokësore. Gjermania, Suedia, Franca dhe Norvegjia kanë konfirmuar se po dërgojnë ushtarë në Grenlandë.
Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë njoftoi se sot po dërgon në Grenlandë një ekip prej 13 ushtarakësh, të cilët, siç thuhet, do të jenë në një mision kërkimor së bashku me vende të tjera partnere, me ftesë të Danimarkës.
Dërgimin e trupave në Grenlandë e konfirmoi edhe kryeministri suedez Ulf Kristersson. “Në Grenlandë po mbërrijnë oficerë nga forcat e armatosura suedeze. Ata janë pjesë e një grupi nga disa vende aleate. Së bashku do të përgatisin hapat e ardhshëm në kuadër të stërvitjes daneze ‘Qëndrueshmëria Arktike’. Me kërkesë të Danimarkës, Suedia po dërgon personel nga forcat e armatosura”, shkroi Kristersson në një postim në platformën X.
Kryeministri francez Emmanuel Macron konfirmoi se ushtarët e parë francezë tashmë janë nisur drejt Grenlandës. “Me kërkesë të Danimarkës, vendosa që Franca të marrë pjesë në stërvitjet e përbashkëta të organizuara nga Danimarka në Grenlandë, operacioni ‘Qëndrueshmëria Arktike’. Forcat e para ushtarake franceze janë tashmë në rrugë. Të tjera do të pasojnë”, publikoi Macron në X.
Ministria norvegjeze e Mbrojtjes konfirmoi se edhe Norvegjia po dërgon dy ushtarë në Grenlandë.
Rajon-Botë Danimarka e forcon praninë ushtarake në Grenlandë, në ishull dërgohen edhe trupa...



