Nesër takim liderësh për qeverinë teknike! VLEN me mbështetje, LSDM nuk shkon, BDI po mendohet!

Në prag të takimit të nesërm të liderëve që e ka iniciuar kryeministri Hristijan Mickoski, për momentin ende është e paqartë se kush do të ulet në tryezën e bisedimeve rreth ligjeve reformuese dhe propozimit për shfuqizimin e Qeverisë së Përzhinës. Partneri qeveritar VLEN ka paralajmëruar se do të marrë pjesë me dy përfaqësuesit e vet, Bilall Kasamin dhe koordinatorin e grupit parlamentar Bekim Qokun. Ai deklaroi se do ta mbështesin propozimin e Mickoskit për shfuqizimin e qeverisë teknike.

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, e refuzoi menjëherë ftesën me arsyetimin se janë kundër që në të ardhmen të mos ketë qeveri teknike, e cila, siç tha ai, është garanci për zgjedhje të ndershme, ndërsa për ligjet reformuese do të votojnë në Kuvend. Nga partia edhe sot e konfirmuan këtë qëndrim.

“Pushteti aktual i koalicionit tender VMRO-ZNAM po i keqpërdor institucionet dhe resurset shtetërore për qëllime partiake dhe kriminale. Po miratohen rezoluta me të cilat praktikisht po shfuqizohet liria e fjalës së opozitës, ndërsa me Ligjin për Policinë po shkohet drejt një partizimi të plotë të MPB-së. Legalizimi i mbikëqyrjes masive me 65 mijë kamera mundëson mbikëqyrje digjitale të lëvizjeve të qytetarëve. Ministri teknik nga opozita është garanci që ky sistem nuk do të keqpërdoret për ndjekjen e qytetarëve apo të opozitës gjatë fushatës”, thonë nga LSDM.

Nga BDI ende s’kanë një vendim final nëse do të marrin pjesë, por paralajmëruan se është e mundur të dalin me kërkesat e tyre. Sekretari i përgjithshëm i partisë, Arbër Ademi, në emisionin “Click Plus” në TV21 vlerësoi se për momentin një takim i liderëve është i rëndësishëm, por shtoi se takimet e liderëve duhet të fokusohen në diskutime me kornizë dhe agjendë të qartë për çështje që janë me rëndësi për shtetin dhe qytetarët, e jo vetëm për fotografim. Nëse BDI merr pjesë në takimin e liderëve, Ademi deklaroi se në tryezë do ta vendosin çështjen e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe disa tema të tjera të rëndësishme për vendin.

“A është e nevojshme që të diskutohet për çështje që janë me rëndësi për shtetin dhe qytetarët, unë mendoj se po, mirëpo ai takim i liderëve duhet të ketë dialog me substancë, duhet të ketë një dialog me kornizë, duhet të ketë një dialog me agjendë mirë të definuar dhe mirë të përcaktuar dhe jo një takim sa për një fotografi dhe pamje të cilat do të shkonin lajmet e ditës”, u shpreh Arbër Ademi – Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së.

Pjesëmarrje në takimin e liderëve paralajmëruan edhe nga partneri qeveritar ZNAM, si dhe nga Levica, nga ku thanë se do ta pranojnë shfuqizimin e qeverisë teknike, por vetëm nëse vendoset një njësi zgjedhore dhe sigurohet qasje e barabartë për përfaqësim mediatik në periudhën parazgjedhore.