Hajdari pas seancës gjyqësore, thotë se është e pafajshme – akuzon sërish Prokurorinë

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari  pas seancës gjyqësore për skandalin me Rezervat Shtetërore për të cilën tashmë ka një aktakuzë, ka thënë se ndihet krejtësisht e pafajshme, duke e quajtur procesin si tendencioze nga ana e Prokurorisë.

“Përkundër që ndihem krejtësisht e pafajshme sepse është proces tendencioz duke shkelur çdo procedurë ligjore, duke qenë në kundërshtim me ligjin për rezervat shtetërore dhe ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar ka iniciuar këtë aktakuzë ndaj meje”, tha ajo.

Hajdari madje insiston se kanë vepruar drejtë me çështjen e rezervave shtetërore, por shkelje thotë se po bënë Prokuroria Speciale, raporton EO, transmeton Klankosova.tv.

“Më e rëndësishmja që dua të theksoj është se qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë të brengosen për konsolidimin e rezervës shtetërore që e kemi rritur në Qeverinë Kurti 2, për shumë fish në kohën më të vështirë kur ishte rezerva shtetërore e pa konsoliduar dhe jo në funksion të përgjigjes ndaj qytetarëve. Në kohën kur kufijtë ishin të mbyllur me shpërthimin e luftës në Ukrainë dhe në kohën më të vështirë, kur nuk kishte eksporte  të produkteve bazike në vendin tonë. Pra, produkteve bazike, jetike për jetesën e qytetarëve tanë. Në këtë kohë të vështirë ne siguruam dhe konsoliduam rezervën shtetërore. Sa është e rëndësishme të përmendi se për këtë proces që është tejet e rëndësishme për qytetarët tanë, për sigurinë e popullit tonë, megjithatë prokuroria shkeli ligjin, siç e kam theksuar dhe më herët përkundër që ne kemi pasë dhe jemi në proces gjyqësor me operatorët që nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre dhe është proces i hapur gjyqësor me këta operatorë. Tërësisht Prokuroria Speciale nuk po përfill ligjin, dhe po vazhdon pa përfillur procedurat e ligjit për rezervat shtetërore dhe informacionit të klasifikuar”, tha ajo.

Më tej ka theksuar  se do ta dëshmojnë se veprimet ndëramrra ndaj saj janë të paligjshme.

“Unë dhe mbrojtja ime jemi të bindur për këto veprime të paligjshme dhe këtë do ta dëshmojmë deri në fund të këtij procesi”, deklaroi Hajdari.