Evropa po përballet me stuhi të fuqishme, nga moti i keq janë shënuar viktima të shumta

Evropa Veriore vijon të përballet me motin e keq, me erëra me intensitet uragani dhe stuhi të fuqishme, që kanë shkaktuar të paktën 13 viktima, kaos në udhëtime, mbyllje shkollash dhe ndërprerje të energjisë elektrike për qindra mijëra banorë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, stuhia “Goreti” goditi rëndë pjesë të Uellsit, me erëra që arritën deri në 160 kilometra në orë. Rreth 50 fluturime u anuluan, duke bllokuar mijëra pasagjerë. Dhjetëra mijëra familje mbetën pa energji elektrike. Një 50 vjeçar humbi jetën në qytetin Helston, nga rrëzimi i një peme. Agjencia kombëtare e motit paralajmëroi për rrezik nga bora dhe akulli në pjesën më të madhe të vendit, veçanërisht në Skoci dhe Anglinë Veriore.

Në Francë, stuhia shkaktoi ndërprerje të energjisë për rreth 320 mijë familje, kryesisht në Normandinë Veriore. Autoritetet njoftuan për rreth 100 mijë banesa pa energji elektrike. Në disa zona erërat arritën një shpejtësi deri në 216 kilometra në orë, duke rrëzuar pemë dhe shkaktuar dëme kolosale. Shkollat mbetën të mbyllura në disa zona, ndërsa porte dhe rrugë u mbyllën përkohësisht.

Gjermania Veriore u përball me ndërprerje energjie e transporti për shkak të stuhisë “Elli”, e cila solli reshje të dendura bore dhe erëra të forta. Shkollat u mbyllën në disa qytete, ndërsa trafiku hekurudhor në distanca të gjata u pezullua.

Probleme serioze u raportuan edhe në disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore. Trafiku ajror u ndërpre nga Çekia deri në Rusi, ku mbi 300 fluturime u anuluan në katër aeroportet që shërbejnë në Moskë. Autoritetet meteorologjike anembanë kontinentit kanë lëshuar paralajmërime për erëra “me forcë uragani” dhe reshje të dendura bore, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme. /Alsat.mk