Çerdhja në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës nuk arriti t’i hapë dyert as në ditët e para të vitit 2026, kjo për shkak se Ministria e Financave ka dhënë përgjigje negative ndaj kërkesës për punësime. Megjithatë nga Ministria e Politikës Sociale thonë se kërkesa do të rinovohet dhe se janë paraparë mjete financiare, por pa afat konkret se kur pritet të përfundojë ky proces, shkruan Portalb.mk.
Ndonëse muajt e fundit institucionet intensifikuan aktivitetet dhe përfunduan shumicën e procedurave administrative, Ministria e Financave nuk dha pëlqim për punësime, me çka pamundësohet hapja.
Nga Ministria e Politikës Sociale për Portalb.mk thanë se për shkak se procedura u zhvillua në fund të vitit, kur ekziston periudhë shumë e shkurtër për realizimin e punësimeve të reja dhe Ministria e Financave ka dhënë përgjigje negative ndaj kërkesës.
“Kërkesa për pëlqim financiar do të rinovohet menjëherë dhe pritet përgjigje pozitive nga Ministria e Financave, duke qenë se për vitin 2026 janë paraparë mjete të mjaftueshme në bllok-donacionin për kopshtin për punësimin e kuadrit të nevojshëm”, thanë nga Ministria e Politikës Sociale.
Nga aty shtuan se pas marrjes së pëlqimit financiar dhe zbatimit të procedurës së punësimit, çerdhja do të mund të fillojë me punë, por duke mos precizuar afat konkret.
Pavarësisht se kryetari komunës, Daut Memishi gjatë fushatës zgjedhore premtoi se çerdhja do të hapet në ditët e para pasi ai të vijë në krye të komunës, megjithatë nga Komuna e Tearcës me muaj nuk përgjigjen në pyetjet gazetareske.
Pavarësisht premtimeve dhe afateve kohore edhe nga administrata e kaluar komunale, çerdhja vazhdon të jetë e mbyllur.
Ndërtimi i çerdhes në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës filloi në fillim të vitit 2022, ndërsa objekti përfundoi në janar 2023. Ky objekt duhej të ishte gati që në prill 2023, por kjo nuk ndodhi. Faji për këtë vonesë sipas autoriteteve komunale aso kohe mbeti te rrjeti i ujësjellësit.
Objekti i çerdhes ka sipërfaqe prej 1400 metra katrorë në parcelë të përgjithshme prej 6935 metra katrorë, dhe ka kapacitet për 155 fëmijë nga mosha 0 deri në 6 vjeç.
Ndërtimi i kësaj çerdheje është e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA 2). Vlera e këtij projekti është rreth 980 mijë euro.
Investitorë në këtë projekt janë IPA- 2 Programi, Ministria e Financave- Departamenti (CFCD) dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.
Realizues të punëve ndërtimore ishin AK-Invest-Tetovë, ndërsa mbikëqyrës të punëve ndërtimore ishin EuroConsult LTD-Shkup.




