Kërkohet paraburgim për shtetaset e Bullgarisë, dyshohen për vjedhje të kartelave bankare dhe portofolëve në Shkup

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nisur procedurë kundër dy shtetaseve të Republikës së Bullgarisë, për të cilat ekziston dyshimi se kanë kryer disa vjedhje, përcjell TV21. Për shtetaset bullgare Prokuroria ka propozuar masën e paraburgimit.

“E dyshuara e parë, në pesë raste, prej të cilave herën e fundit së bashku me të dyshuarën e dytë, nga persona të ndryshëm ka vjedhur portofolë që përmbanin para të gatshme dhe kartela bankare, nga të cilat më pas janë përpjekur të tërheqin shuma shtesë parash. Kështu, më 04.04.2025, në autobusin nr. 7 të NQP-Shkup, në linjën nga Poliklinika “Bukuresht” deri te “Rekordi”, e dyshuara ka vjedhur një portofol që përmbante 2.600 denarë, kartelë bankare dhe dokumente të tjera. Kur i dëmtuari telefonoi bankën për të bllokuar llogarinë, iu tha se nga bankomati tashmë ishin tërhequr 30.000 denarë. Gjatë muajit gusht 2025, në një qendër tregtare në Shkup, ajo ka kryer tri herë vjedhje portofolësh që përmbanin dokumente, kartela, para dhe sende të tjera me vlerë, duke përfituar fillimisht një dobi pasurore të kundërligjshme prej 39.000 denarësh. Më pas, nga kartelat është përpjekur të nxjerrë edhe para të tjera, çka në rastin e një të dëmtuareje ka pasur sukses, dhe nga bankomati në dy herë ka tërhequr gjithsej 60.000 denarë. Herën e fundit, më 04.01.2026, të dyshuarat së bashku, sërish në një objekt shitës të një qendre tregtare, kanë vjedhur një portofol nga një e dëmtuar dhe sende të tjera me vlerë të përgjithshme prej 3.000 denarësh, dhe më pas dy herë pa sukses janë përpjekur të tërheqin para nga bankomati nga llogaria e saj. Meqë në rastin konkret ekzistojnë indikacione se në dy rastet e suksesshme të tërheqjes së parave nga kartelat e vjedhura, të dyshuarat kanë përdorur kode PIN që viktimat, persona të moshuar, i mbanin të shkruara në portofolët e tyre, prokurori publik po ndërmerr veprime për të hetuar nëse të dyshuarat kanë përmbushur edhe elemente të veprës penale – Dëmtim dhe hyrje e paautorizuar në sistem kompjuterik”, thonë nga Prokuroria.